Ballina Politika Rama: Qytetarët e prekur nga përmbytjet do të dëmshpërbehen

Rama: Qytetarët e prekur nga përmbytjet do të dëmshpërbehen

43
0

Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se deri tani në rang vendi regjistrohen 1587 banesa në praninë e uji, ndërsa janë evakuuar 339 persona dhe 51 familje.

Në mbledhjen e Komiteti Ndërministror i Emergjencave Civile, kryeministri Rama bëri një përditësim të situatës së krijuar nga moti shumë i keq i ditëve të fundit, si pasojë e nivelit tejet të lartë të reshjeve të shiut.

“Aktualisht në gjithë vendin janë ulur sasitë e reshjeve të matura, përjashtuar Durrësin ku janë regjistruar 41 mm shi. Një punonjës i bashkisë së Durrësit është gjendur i mbytur. Deri tani janë numëruar në rang vendi 1587 banesa në praninë e ujit. Janë evakuuar 339 persona dhe 51 familje”, tha Rama.

Po ashtu, kryeministri theksoi se prani uji është konstatuar në 13 211 ha tokë bujqësore, një pjesë janë përmbytur.

“Kemi prani uji edhe në disa qendra shëndetësore apo objekte arsimore. Sasia e reshjeve ka qenë e jashtëzakonshme deri në 300 mm ose përndryshe më shumë se sa sasia mesatare e reshjeve që bien gjatë gjithë muajit. Pra, reshjet 30-ditore mesatare të muajit kanë rënë për një periudhë 3 apo 4 ditore”, tha Rama.

Ky fenomen, sipas tij, vjen si rezultat i ndryshimit të klimës dhe po bëhet gjithnjë e më pak i papritur në mbarë botën.

“Për shembull në disa zona të ultësirës perëndimore sasia e reshjeve në këto 4-5 ditë ka qenë rreth 25% ose sa çereku i sasisë vjetore të tyre në mesatare. Si pasojë e rritjes së këtyre prurjeve në rrjetet ujore, në kanalet e ujërave të larta, kolektorë kryesorë kullues, përrenjtë malorë dhe vetë lumenjtë e vendit ka ardhur si pasojë përmbytja”, tha Kryeministri.

Rama garantoi sot mbështetje të plotë për qytetarët e prekur nga situata e përmbytjeve, duke theksuar se qeveria do të përmbushë çdo detyrim ndaj tyre, si për banesat ashtu edhe për gjënë e gjallë.

Rama kujtoi se kur qeveria aktuale mori detyrën, trashëgoi borxhe të shumta nga përmbytjet, veçanërisht në zonën e Shkodrës, të cilat sipas tij janë shlyer një e nga një. Sipas tij, përmirësimi i infrastrukturës mbrojtëse ka ndikuar që dëmet nga përmbytjet të jenë më të pakta, pavarësisht përkeqësimit të sfidave klimatike.

“Kur ne erdhëm në qeveri, në malin e borxheve që na lanë trashëgimia aleatët e shiut ishte edhe një pjesë të tërë borxhesh nga përmbytjet zonës së Shkodrës. Në i shlyem një më një ato borxhe dhe nuk kemi hyrë më në asnjë borxh të kësaj natyre me njerëzit, përkundrazi kemi përballuar me dinjitet njerëzor, shtetëror dhe politik jo vetëm detyrimet nga përmbytjet, që edhe pse sfidat e klimës janë bërë më të mprehta, kanë qenë sidoqoftë shumë më pak pikërisht sepse ne kemi rritur ndjeshëm aftësinë mbrojtëse të infrastrukturës sonë, apo detyrimet nga zjarret që janë një sfidë e rritur e viteve të fundit, por edhe detyrime marramendëse nga fatkeqësi si pandemia apo tërmeti, duke dalë më të fortë se para fatkeqësive e më të ditur për të përballura sfidat e së nesërme.

“Sot dua t’i siguroj edhe të dëmtuarit e kësaj herë se ne do t’i qëndrojmë me të njëjtin dinjitet njerëzor shtetëror dhe politik çdo detyrimi ndaj tyre qoftë për banesat, qoftë për gjënë e gjallë”, tha Rama.

Gjatë mbledhjes së Komitetin Ndërministror të Emergjencave Civile për të adresuar situatën e krijuar nga përmbytjet e ditëve të fundit, si pasojë e reshjeve intensive të shiut, Rama theksoi se puna intensive dhe mobilizimi në gjithë territorin do të vijojë pa u ndalur.

“Dua të theksoj se puna intensive dhe mobilizimi i pandalur 24 orë në të gjithë territorin ku është nevoja e të gjithash strukturave të shtetit si edhe bashkive, do të vazhdojë e pandërprerë deri në kapërcimin e kësaj situate të rënduar meteorologjike”, tha Rama.

Në fund, Rama u bëri thirrje deputetëve të shumicës qeverisëse që të jenë të pranishëm pranë qytetarëve edhe pas kalimit të situatës së vështirë.

“Nga ana tjetër dua t’u them të gjithë deputetëve të shumicës qeverisës të pranishëm në këtë mbledhje përmes zoom-it që të jenë të angazhuar edhe sot edhe nesër, edhe pasi momenti i vështirë të jetë kapërcyer pranë njerëzve me njerëzit dhe për njerëzit”, tha Rama.