Ballina Aktualitet Mishka i Amant Josifit dhe Olsi Ramës para gjyqit/ Gazeta gjermane: Operonin...

Mishka i Amant Josifit dhe Olsi Ramës para gjyqit/ Gazeta gjermane: Operonin 28 platforma mashtruese nga Tirana

54
0

Shtetasi Mikheil Binishavili, i njohur edhe si Mishka, bashkëortak me Amant Josifin në qendrat telefonike mashtruese, që mendohet se kanë zhvatur 230 milionë euro vetëm në zonat gjermanishftolëse, pritet të dalë në gjyq në Gjermani. Amant Josifi dhe Mishka ishin drejtues të Milton Group. Ndërkohë Amant Josifi shërbente si koperturë për Olsi Ramën, vëllain e Edi Ramës. Mediat gjermane kanë publikuar detaje nga aktakuza ndaj Mishkës. Sipas tyre, nga Tirana operonin të paktën 28 platforma mashtruese

Ai dyshohet se ka shkaktuar dëme në vlerë miliona eurosh përmes mashtrimeve me investimet në internet dhe se ka qenë kreu i një rrjeti ndërkombëtar: para Gjykatës Rajonale të Bambergut pritet të dalë së shpejti një burrë 50-vjeçar, të cilin prokurorët e Zyrës Qendrore për Krimin Kibernetik e akuzojnë se është përgjegjës për një dëm prej më shumë se 52 milionë eurosh. Për më tepër, sipas kësaj zyre, vlerësohet një “dëm i errët” global (i paidentifikuar plotësisht) prej rreth 180 milionë eurosh.

Sipas një zëdhënësi të Gjykatës Rajonale të Bambergut, procesi kryesor gjyqësor do të nisë të enjten e ardhshme (15 janar). Janë planifikuar 11 seanca gjyqësore para Dhomës Penale për Krimin Ekonomik Kibernetik. Një vendim mund të jepet në fund të muajit shkurt.

Ka drejtuar një call center në Shqipëri?

Ja për çfarë bëhet fjalë konkretisht: sipas Zyrës Qendrore, i pandehuri dyshohet se nga viti 2014 deri në vitin 2019 ka drejtuar një call center në Tiranë, në Shqipëri, me deri në 600 punonjës. Ky call center thuhet se ka operuar të paktën 28 platforma. Qytetarët nxiteshin të investonin para aty, me premtimin për fitime.

“Kapitali i investuar, në shumicën e rasteve, humbiste plotësisht”, njoftoi Zyra Qendrore. Sipas saj, janë dëmtuar 180 persona nga Gjermania, Austria dhe Zvicra.

Gjithashtu, personi akuzohet se ka angazhuar specialistë IT për të zhvilluar një softuer për ‘cybertrading’ mashtrues. Në bazë të këtij softueri thuhet se janë operuar rreth 400 platforma mashtruese.

Në këtë mënyrë, i pandehuri dyshohet se ka kontribuar që rreth 540 persona nga hapësira gjermanishtfolëse të mashtroheshin për një shumë prej rreth 44 milionë eurosh.

Të dyshuar të tjerë

Personi u arrestua në gusht 2023 në Armeni. Në maj 2024 u ekstradua në Gjermani dhe që prej asaj kohe ndodhet në arrest paraburgimi.

Hetimet për këtë çështje po zgjasin prej rreth gjashtë vitesh. Persona të tjerë të dyshuar për përfshirje në këto vepra ndodhen gjithashtu në paraburgim, ndërsa hetimet vazhdojnë./ DIE ZEIT