Ballina Aktualitet Burgaxhiu, ish-drejtori i OSHEE-së bllokon kolektorin në Durrës, Sako hesht për biznesin...

Burgaxhiu, ish-drejtori i OSHEE-së bllokon kolektorin në Durrës, Sako hesht për biznesin e ndërtuar nga vartësi i Ballukut, Plator Mehmeti

368
0

Banorët e Sektor Rinia në Durrës, protestuan, pasi ish-drejtori i OSHEE-së, vartës i Belinda Ballukut, Plator Mehmeti ka bllokuar kolektorin, duke sjellë përmbytje të mëdha të banesave dhe bizneseve në këtë zonë. Sipas banorëve, Plator Mehmeti ka bllokuar një kanal me gjerësi rreth 4 metra, duke vendosur tuba me diametër deri në 1 metër, me qëllim që sipër kanalit të krijojë një shesh që i shërben kompanisë së tij HTM shpk. Banorët kërkuan ndërhyrje urgjente për hapjen e kolektorit, pasi dëmet e shkaktuara nga përmbytjet, janë të mëdha.

Përmbytjet masive në Durrës, kanë nxjerrë në pah jo vetëm abuzimet dhjetëra milionë euro me tenderin e ndërtimit të hidrovorit, por edhe bllokimin e sistemit të kullimit dhe kanalizimeve nga drejtues të lartë të administratës publike.

Në një segment të tij, ky kanal është bllokuar, duke u vendosur tombino me diametër rreth 50 deri në 1 metër. Vendosja e këtyre tombinove është bërë me qëllim që të ndërtohet një shesh i madh, që i shërben një biznesit të Plator Mehmetit.

Ky shtetas është një person i njohur për durrsakët dhe shqiptarët, pasi për vite të tëra, ka qenë një nga njerëzit e besuar të Belinda Balluku, duke mbajtur edhe postin e drejtorit të OSHE në Durrës.

Plator Mehmeti, i denoncuar nga emisioni investigativ Plug, rezulton se është pronar i kompanisë HTM shpk, kapanonet e të cilës janë ndërtuar pikërisht mbi kolektorin që duhet të shërbente për të larguar ujin e shiut nga Durrësi duke evituar mbytjen e banesave dhe bizneseve.

I dënuar të paktën 4 herë vjedhje dhe falsifikime, Plator Mehmeti ka qene dora e zezë e OSHEE në Durrës dhe se ka mbështetjen e një grupi kriminal, i cili është goditur nga SPAK-u. Aferat e tij janë sa të pabesueshme aq edhe flagrante. Duket e çuditshme se si Plator Mehmeti, në vend që të ishte sot në burgun e Durrësit, vijon të kanalizojë paratë publike në xhepat e tij, duke i investuar më pas në pasuri të paluajtshme.

Krahas rrethit klientelist, Plator Mehmeti i kalon paratë publike, përmes tenderave korruptivë, te kompania e tij Rear shpk, kaluar formalisht në emrin e familjarëve. Kompania herë ka marrë tendera të drejtëpërdrejtë nga OSHEE, por kryesisht kamuflohet si nënkontraktore, që është e njëjta gjë.

Banorët e zonës në Sektor Rinia, protestuan këtë shtunë, duke akuzuar pikërisht Plator Mehmetin si përgjegjës për përmbytjen e dhjetërave bizneseve dhe banesave në këtë zonë.

Ky skandal bëhet edhe më i rëndë, pasi vetëm një ditë më parë, kryetarja e bashkisë së Durrësit Emirjana Sako, në kuadër të propagandës, publikonte pamje të fadromave të IMT që shembnin mure apo  çadra të komuniteti rom, me pretendimin se ato kishin zënë kolektorët.

Por, pavarësisht showt, Emirjana Sako duket se nuk guxon të shkojë pikërisht në Sektor Rinia, aty ku ish-vartësi i Belinda Ballukut ka bllokuar pikërisht kolektorin që duhet të shpëtonte Durrësin nga përmbytjet.