Ballina Sport Serie A/ Lautaro mjafton për Inter-in, Napoli vijon ndjekjen ndaj kryesuesëve, Juve...

Serie A/ Lautaro mjafton për Inter-in, Napoli vijon ndjekjen ndaj kryesuesëve, Juve “lamtumirë” scudetto

34
0

Java e 21-të e Serie A konfirmon Interin në krye të renditjes dhe sjell rezultate të rëndësishme në garën për titull dhe zonat europiane. Zikaltrit triumfuan 1-0 në transfertë ndaj Udineses në “Bluenergy Stadium”, falë një goli të Lautaro Martinez në minutën e 20-të, pas një aksioni spektakolar të nisur nga asistimi me takë i Pio Espositos. Interi dominoi për pjesën më të madhe të ndeshjes, duke rrezikuar disa herë dyfishimin me Dimarcon, ndërsa në minutat e fundit u vu nën presion nga vendasit. Skuadra e Cristian Chivut rezistoi dhe ruajti epërsinë, duke u ngjitur në kuotën e 49 pikëve.

Fitore të vuajtur, por të rëndësishme, regjistroi edhe Napoli, i cili mposhti 1-0 Sassuolon në “Diego Armando Maradona”. Pas barazimeve zhgënjyese ndaj Veronës dhe parmës në shtëpi, kampionët ia dolën edhe pse me vështirësi të siguronin 3 pikët. Golin vendimtar e shënoi Lobotka që në minutën e 7-të, pas një aksioni të shpejtë në zonë. Pavarësisht presionit të vazhdueshëm të emilianëve, sidomos në pjesën e dytë, napolitanët u mbrojtën me kujdes dhe siguruan tri pikë jetike. Me këtë sukses, skuadra e Contes ngjitet në 43 pikë, duke mbetur gjashtë larg Interit dhe duke barazuar përkohësisht Milanin.

Surpriza e ditës vjen nga Sardenja, ku Juventusi u ndal 1-0 nga Cagliari në “Unipol Domus”. Pas një ndeshjeje të dominuar territorialish nga bardhezinjtë, vendasit gjetën golin e fitores në minutën e 65-të me një goditje spektakolare me volej të Mazzitellit pas një goditjeje dënimi. Juventusi provoi deri në fund të barazonte, duke goditur edhe shtyllën me Yildiz, por pa sukses. Kjo humbje e lë skuadrën e Spallettit në kuotën e 39 pikëve, dhjetë pikë larg Interit kryesues, ndërsa Cagliari ngjitet në 22 pikë.Ëndrra drejt skudetton tashmë duket se është sfumuar plotësisht.