Ballina Ekonomia “Forbes”: Shqipëria, destinacioni i ardhshëm i jahteve luksoze në Mesdhe?

“Forbes”: Shqipëria, destinacioni i ardhshëm i jahteve luksoze në Mesdhe?

37
0

Kur keni dëgjuar për herë të parë për Shqipërinë? Vendi ballkanik ofron të gjitha pasuritë natyrore të fqinjëve të tij të bukur – madje duke rivalizuar Greqinë dhe Malin e Zi – me ujerat e kristalta dhe bregdetin me diell, sipas një artikulli të botuar në “Forbes”.

Shqipëria, ndodhet në një pozicion të përkryer, për të përfituar nga sezoni i jahteve mesdhetare, megjithatë mbetet ende jashtë radarit të industrisë.

“Shqipëria, vazhdon të jetë ende një destinacion shumë i veçantë”, tha Irini Sarantis, drejtoresha digjitale e IYC, IYC – Kompania Ndërkombëtare e Jahteve (që rezervon rreth 30 javë udhëtime me qira në Shqipëri çdo vit).

“Kjo përbën 0,27% të biznesit të saj mesdhetar, një statistikë që i atribuohet kryesisht, mungesës së zhvillimeve luksoze. Por, kjo do të ndryshojë së shpejti”, tha Filip Jerolimov, nga kompania “Partner Global” në IYC.

Vitin e kaluar, zyrtarët shqiptarë zbuluan planet për ta transformuar Shqipërinë në destinacionin e ardhshëm të superjahteve.

Strategjia e tyre detare, e mbështetur nga investitorë privatë, do të sjellë një rrjet marinash të ndërlidhura të varura përgjatë bregdetit, duke krijuar një pikë tërheqëse për jahtet gjatë sezonit, në Mesdhe.

Dizajneri italian i jahteve, Luca Dini është ngarkuar me projektin monumental, të cilin ai e tha se ishte shumë emocionues, por me shumë përgjegjësi në një intervistë për “Zoom”.

“Shqipëria është i vetmi vend në Evropë ku ende mund të zhvillohet në një shkallë të gjerë. Është një fletë e bardhë. Sa njerëz mund të thonë se ndihmuan në ndërtimin e një vendi?”, tha projektuesi.

Dini nuk gabohet. “Zhvillimi i infrastrukturës publike të Shqipërisë është gati 70% më i ulët se mesatarja e Bashkimit Evropian”, sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Ndërsa financuesi privat, “Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim” i listoi përmirësimet e infrastrukturës si një fokus jetësor në strategjinë e saj 2025-2030 për vendin.

Projekti ambicioz do të shndërrojë disa kilometra vijë bregdetare – në një marinë dhe kompleks turistik, duke përfshirë fusha sportive, për meditim, yoga dhe mundësi për lutje dhe adhurim, ndërsa u ofron vizitorëve mundësinë të njihen me kulturën tradicionale dhe ushqimin vendas.

Është një nga pesë zhvillimet në të cilat Dini po punon në Shqipëri, duke përfshirë një vendbanim në kryeqytetin e Tiranës, të frymëzuar nga Kopshtet e Varura të Babilonisë, dhe një ndërtesë shumëfunksionale, në Durrës, të kompletuar me hotel luksoz.

Sipas Dini, çelësi për të zhbllokuar bregdetin e Shqipërisë është logjistika e tij.

“Ky vend është një vrimë e zezë pranë Greqisë. Pronarët e jahteve nuk kanë një vend për të vënë një spirancë, kështu që ata refuzojnë të shkojnë. Është një keqardhje e madhe, sepse është vërtet bukur atje. Pra, kjo është një gjë e madhe që po përpiqemi ta ndryshojmë”, tha ai.

Rrjeti i marinës do të ndajë burimet për të përmirësuar efikasitetin logjistik, me përfitimin shtesë të shpërndarjes së ndikimit mjedisor dhe rritjes ekonomike përgjatë gjithë vijës bregdetare.

Gjithashtu, ka pasur bisedime për të zhvilluar objekte të reja shërbimi, që synojnë

industrinë e jahteve, siç janë kantierët e riparimit, furnizuesit e jahteve, stacionet e riparimit dhe zonat e furnizimit me karburant, me cilësi të lartë.

Megjithë këtë investim, Dini këmbëngul se zhvillimi do të jetë në dobi të vendasve dhe njëkohësisht të vizitorëve të pasur.

“Ne nuk po krijojmë Porto Cervo ose Cote d’Azur. Ky projekt është ndërtuar duke pasur parasysh popullsinë shqiptare, kështu që do të ketë hostele me dy yje pranë hoteleve me pesë yje”, shtoi ai.

Dini synon që resorti të jetë “i padukshëm” nga deti, i nxitur nga një respekt për topografinë e vendit, si dhe nga dëshira e tij estetike, si projektues.

Sipërfaqja e ndërtesave ishte një tjetër pikë bisede dhe fërkimi – midis Dinit dhe investitorëve.

“Ne kemi luftuar për të ruajtur një dendësi shumë të ulët. Plani është që gjithçka të jetë diskrete dhe me shumë hapësirë”, tha Dini.

Rezultati është një koleksion ndërtesash, shumë larg qendrave të grumbulluara në Port Hercule ose Bahia Mar.

Kompania ka zgjedhur çati të mbuluara me bimë që ndjekin kthesat e maleve të Shqipërisë, mbi 75% e vendit është malore – dhe shkrihen në kodrat pas, të cilat janë të mbushura me ullinj dhe bimësi të ndryshme.

Terrakota (e cila do të printohet në 3D) është përfshirë gjithashtu për të nderuar trashëgiminë kulturore të Shqipërisë, por në një mënyrë që shmang konsumimin ose transportimin e materialit vendas për hir të qëndrueshmërisë.

Shumica e projekteve të Dini janë planifikuar të nisin në pak më shumë se pesë vjet.

Pasi kjo të ndodhë, projektuesi është i bindur se Shqipëria do të fitojë njohje të konsiderueshme në hartën e Mesdheut.

“Pronarët vazhdojnë të më pyesin se kur do të jenë gati marinat. Ka shumë kuriozitet për vendin”, tha ai.

“Projekti hap itinerare dhe rrugë të reja, ku Shqipëria mund të kombinohet me Malin e Zi, Kroacinë dhe madje edhe Venedikun. Mundësitë janë emocionuese”, shtoi ai.

Edicioni i parë i Panairit Detar të Ballkanit u mbajt në Vlorë vitin e kaluar, i vetmi panair i dedikuar anijeve në Shqipëri, ndërsa “Durrës Yachts and Marina”, një projekt prej 2,5 miliardë dollarësh – i udhëhequr nga projektuesi i pronave “Eagle Hills” në Abu Dhabi – ka qenë pjesërisht funksional që nga marsi i vitit 2025.

Shqipëria e re, siç e quan Dini, thuhet se do të jetë gati në vitet e ardhshme. Nëse ka sukses, vendi mund të zëvendësojë Detin e Kuq Saudit, si qendrën e ardhshme të madhe të jahteve.