Ballina Aktualitet Kur shteti është i mbrapshtë/ A duhet të lihet lidhja e Tropojës...

Kur shteti është i mbrapshtë/ A duhet të lihet lidhja e Tropojës me Shqipërinë në duart e privatit?

37
0

Shqipëria po përballet me braktisje masive, veçanërisht në qytetet e vogla periferike, një pjesë e të cilave madje rrezikojnë të zhduken fare. Qeveria nuk e shikon këtë fare si problem dhe i ka rënë shkurt duke u justifikuar se kjo është një tendencë rajonale, e pandalshme. Por a është më të vërtetë vetëm kjo, apo është keqqeverisja që i largon njerezit.

Merrni Tropojën. Udhëtimi drejt Bajram Currit dhe Valbonës po bëhet gjithnjë e më i vështirë. Sot, rruga e vetme reale mbetet Rruga e Kombit përmes Kosovës, duke kaluar dy kufij dhe dy dogana – një udhëtim i gjatë dhe i lodhshëm.

Gjatë verës ekziston edhe një alternativë tjetër: udhëtimi përmes liqenit të Komanit, një nga rrugët më të bukura dhe më turistike në Ballkan. Por kjo mundësi ofrohet vetëm në sezonin veror. Pyetja është e thjeshtë pse? Dhe përgjigja është po aq e thatë. Sepse tragetet janë private.

Në fakt, ky është dhe një paradoks në vetvete. Kompania e trageteve thotë nuk ka pasagjerë në dimër. Qytetarët thonë nuk ka tragete. Por kjo nuk është thjesht një mospërputhje mes kerkesës dhe ofertës. Problemi është më i thellë se kaq.

Askush nuk i trajton këto tragete siç trajtohen anijet dhe linjat ujore kudo në botë. Me orare fikse, me detyrim ligjor për lëvizje, me çmime të rregulluara për karburantin dhe me penalitete në rast mosrespektimi të orarit. Për rrjedhojë, sot gjithçka funksionon sipas dëshirës së një kompanie private, jo sipas nevojës së qytetarëve dhe turizmit.

Qeveria shqiptare subvencionon me karburant pa taksa anijet e peshkimit, që kompanitë shqiptare të bëjnë biznes. Por nuk i ka shkuar mendja të heqë taksat për një traget, shërbimi i të cilit është jetik për Tropojën. Në radhë të parë për qytetarët, që jetojnë atje të izoluar. Në radhë të dytë për turizmin, të cilin qeveria e ka aq shumë qejf saqë numëron çdo ditë njerëzit që hyjnë në pikat kufitare të vendit.

Nëse Shqipëria dëshiron zhvillim real të Veriut, të Valbonës dhe të gjithë zonës së Tropojës, tragetet e Komanit duhet t’i nënshtrohen të njëjtave rregulla si çdo linjë tjetër detare në botë.

Vetëm kështu do të garantohen orare të qëndrueshme, do të rritej turizmi gjatë gjithë vitit, do të lehtësohej lëvizja e banorëve dhe e gjithë zona do të dilte nga izolimi sezonal. Dhe ky nuk është një problem privat, por interes publik dhe kombëtar. Zgjidhja është fare pa kosto.

Mjafton që qeveria të mendojë ndonjëherë edhe për hallet e përditshme të njerëzve, jo vetëm për tenderat.