Ballina Ekonomia Kontrolle në 9 agjenci imobiliare: Tatimet zbulojnë shkelje të rënda dhe dyshime...

Kontrolle në 9 agjenci imobiliare: Tatimet zbulojnë shkelje të rënda dhe dyshime për evazion në çmimet e shitjeve

57
0

Administrata Tatimore ka intensifikuar kontrollet në sektorin e ndërtimit dhe tregut imobiliar, duke ushtruar verifikime në 9 subjekte që ushtrojnë aktivitet si agjenci imobiliare, në zbatim të Planit Operacional për këtë sektor. Aksioni është realizuar nga Drejtoria e Hetimit Tatimor në bashkëpunim me Drejtorinë e Verifikimit dhe Koordinimit në Terren.

Sipas njoftimit zyrtar, kontrollet janë përqendruar në disa drejtime kyçe: deklarimin e pagave reale të punonjësve, regjistrimin e tyre pranë organit tatimor, realizimin dhe dokumentimin e shitjeve, lëshimin e faturave të fiskalizuara, si dhe kryerjen e verifikimeve të tjera të domosdoshme gjatë procesit të kontrollit.

Nga verifikimet në terren janë evidentuar shkelje të rënda të legjislacionit tatimor. Konkretisht, janë konstatuar punonjës të padeklaruar, përdorim i dokumentacionit jotatimor, mungesë transparence në çmime, si dhe mosrespektim i detyrimeve ligjore për faturimin dhe fiskalizimin e shitjeve. Këto shkelje, sipas Tatimeve, dëmtojnë drejtpërdrejt konkurrencën e ndershme në treg dhe interesin publik.

Bazuar në provat e mbledhura gjatë kontrolleve, përfshirë intervistat dhe vetëdeklarimet e punonjësve,strukturat e specializuara kanë sekuestruar edhe njësi kompjuterike, me qëllim vijimin e hetimit të thelluar. Nga informacioni i nxjerrë prej këtyre pajisjeve, rezultojnë indicie për evazion tatimor të lidhur me çmimet reale të shitjeve të apartamenteve, çka pritet të dokumentohet më tej dhe, sipas rastit, të referohet në organet përkatëse të drejtësisë.

Administrata Tatimore thekson se ky aksion nuk është i përkohshëm, por do të vijojë me seriozitet dhe vendosmëri ndaj çdo subjekti që nuk reflekton pagat reale në listëpagesa. Sipas institucionit, deklarimi i pasaktë i pagave dëmton jo vetëm të ardhmen pensionale të punonjësve, por edhe klimën e konkurrencës dhe besimin në treg.

Në këtë kuadër, Tatimet u bëjnë thirrje të gjithë tatimpaguesve në fushën e ndërtimit dhe agjencive imobiliare që të deklarojnë menjëherë pagat reale dhe të respektojnë detyrimet ligjore për faturimin dhe fiskalizimin, për të shmangur masat administrative dhe penale të parashikuara nga legjislacioni në fuqi për fshehjen e të ardhurave.