Ballina Ekonomia Si u la pa mirëmbajtje sistemi i fiskalizimit për shkak të korrupsionit

Si u la pa mirëmbajtje sistemi i fiskalizimit për shkak të korrupsionit

37
0

Në 29 prill të vitit të kaluar, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit hapi një tender me vlerë 7.7 milionë euro me objekt “Mirëmbajtje e Modulit të Menaxhimit të Kontrollit të Faturimit për Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve.” E thënë thjesht kjo është mirëmbajtja e sistemit dhe serverit të fiskalizimit që bën të mundur lëshimin e faturave nga bizneset.

Por 10 ditë pas shpalljes, tenderi u ankimua në Komisionin e Prokurimit Publik nga një kompani e quajtur CSP shpk. Në ankesa kompania godiste kriteret e vendosura nga AKSHI duke i kërkuar Komisionit të Prokurimeve Publike modifikimin e tyre.

KPP-së iu deshën dy muaj për të dalë me një vendim. Në datën 1 korrik të vitit të kaluar, organi suprem i tenderave pranoi pjesërish ankesën e kompanisë CSP shpk dhe urdhëroi AKSHI-n, që të modifikonte dokumentat e tenderit. Në pikën 3 të vendimit, KPP urdhëroi AKSHI-n, që brenda 5 ditëve të vinte në dijeni Komisionin e Prokurimit Publik për zbatimin e vendimit. Por çfarë ndodhi më pas?

AKSHI i ktheu përgjigje KPP-së në datën 15 korrik për zbatimin e vendimit, por Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve e mbajti të ngrirë procedurën për plot 5 muaj dhe ktheu përgjigje për zbatimin e vendimit të KPP-së vetëm në 18 nëntor. Arsyet se pse Tatimet e bllokuan tenderin për 5 muaj mbeten mister.

Si u la pa mirëmbajtje sistemi i fiskalizimit për shkak të

Vendimi i KPP qe tregon se Tatimet e bllokuan tenderin 5 muaj

Por pas kthimit të përgjigjes, në 4 dhjetor KPP vendosi ta zhbllokojë procedurën dhe të lejojë AKSHI-n që të vazhdojë me zhvillimin e tenderit. Por lufta vazhdonte. Në 18 dhjetor tenderi u bllokua sërish. Këtë herë ishte një ankesë e kompanisë Datalog.

Dy ditë pas vendimit të KPP për lejimin e vazhdimit me tenderin, AKSHI ngarkoi dy shtojca të reja në dokumentet e tenderit. Këto shtojca sipas ankesës së kompanisë DATALOG në KPP, praktikisht paracaktonin fituesin.

“Konkretisht ne faqe 34 te dokumentit shtojce.doc te publikuar ne SPE, vete Autoriteti Kontraktor (AKSHI) pohon se kriteri 2.3.4 i vendosur nga ai mund te plotesohet vetem nga dy Operatorë Ekonomikë. Pra AK pohon se kjo gare sipas AK, mund te fitohet ose nga Infosoft Systems sh.a ose Horizon shpk ose nga dy dyja bashke si bashkim operatoresh ekonomik! Pra qartesisht kemi te bejme me nje procedure te mbyllur faktikisht, ku fituesi eshte i paracaktuar,” denonconte Datalog në ankesën drejtuar KPP-së.

Si u la pa mirëmbajtje sistemi i fiskalizimit për shkak të

Ankesa e Datalog ku akuzon AKSHI-n per paracaktim fituesi

Kriteri 2.3.4 vendoste kusht që kompanitë duhet të kishin autorizim nga Oracle, posaçërisht për Shqipërinë. Ky kriter përmbushej vetëm nga dy kompani. Infosoft e Armand Sharrës dhe Bledar Dhimës si dhe Horizon e Ermal Beqirit. Ndërkohë një kompani e huaj që mund të kishte të njëjtën marrëveshje me Oracle, por jo posaçërisht për Shqipërinë skualifikohej automatikisht.

Historikisht sistemi i fiskalizimit është mirëmbajtur nga një kompani kroate e lidhur me presidentin kroat Milanoviç. Por më sa duke, grupi që kishte në dorë AKSHI-n, kishte vendosur të gjunjëzonte edhe kroatët e Primus, pavarësisht fuqisë së tyre.

Si rezultat, tenderi për mirëmbajtjen e fiskalizimit nuk është zhvilluar ende as sot, kur po bëhet thuajse 1 vit nga shpallja e tij. Që nga qershori i vitit të kaluar, sistemi i fiskalizimit është praktikisht pa mirëmbajtje, për shkak të mos zhvillimit të tenderit. Kjo është edhe arsyeja se pse kohët e fundit, bizneset po përballen me vështirësi serioze për të lëshuar fatura në aktivitetin e tyre të përditshëm, pasi sistemi herë pas herë kalon në kolaps. Kjo është një kosto shtesë që korrupsioni i ngarkon ekonomisë dhe qytetarëve./Kapital