Shpartallimi i rrugës së florinjtë Qukës-Qafë Plloc dhe çedimi në seri thuajse i të gjitha veprave të mëdha publike të ndërtuara vitet e fundit duhet të shtyjë SPAK të hapë një front të ri hetimi. Atë se si janë ndërtuar këto vepra.
Deri tani hetimet e Prokurorisë së Posaçme kanë qenë të fokusuara kryesisht tek komunikimet e kapura në telefonat e sekuestruar të zyrtarëve apo biznesmenëve si dhe në raste më të ralla në procedurat për tendera të caktuar. Por tashmë Shqipëria po përjeton në kurriz një tjetër kosto shuë të madhe të korrupsionit, neglizhencës dhe papërgjegjshmërisë së zyrtarëve publik. Atë të shkatërrimit me shpejtësi të veprave publike që kanë kushtuar qindra milionë euro.
Justifikimet e terreneve të vështira, projekteve problematike, apo dhe shirave që bien një herë në 1 mijë vjet janë thjesht mashtrime që kanë për qëllim të shpëtojnë menderet e atyre që duhet të mbajnë përgjegjësi. Nga ana inxhinierike dhe vështirësisë së terrenit, vepra më e vështirë në Shqipëri mbetet rruga e Kombit. Madje e pakrahasueshme për nga vështirësia me asnjë vepër tjetër publike të ndërtuar gjatë kësaj kohe në Shqipëri.
Por rruga e Kombit nuk ka pësuar asnjë çedim, edhe sot kur ka kaluar më shumë se një dekadë nga ndërtimi i saj. Ndaj pyetja është e thjeshtë; pse po bien në seri të gjitha veprat e kushtueshme të Rilindjes? Qukës-Qafë Plloç, Korçe-Ersekë, Hidrovori i Durrësit, Unaza e Burrelit, lista është pafundësisht e gjatë.
Pikërisht kjo është pyetja, të cilës SPAK duhet t’i japë përgjigje me hetimet e tij. Këtu bëhet fjalë për një kosto marramendëse, që qytetarët e kanë paguar dhe vazhdojnë të paguajnë për veprat difektoze. Në termat e dëmit publik, ky është një nga abuzimet më të mëdha në historinë e Shqipërisë. Financiarisht dhe më shumë se aq.
Përveç miliardave që kanë marrë, tashmë thuajse të gjitha këto vepra do të marrin para të tjera për të arnuar çarjet dhe defektet që kanë. Në Qukës-Qafë Pllocë do të ndërtohet tunel i kushtueshëm për të zgjidhur problemet. Por çarjet e ditëve të fundit tregojnë se problemet aty nuk kanë për t’u zgjidhur asnjëherë, as nga tunelet që qytetarët do t’i paguajnë sa qimet e kokës.
Ka ardhur koha që kostot e këtij korrupsioni të paguhen nga ata që e kanë bërë dhe jo nga qytetarët. Projektues, supervizorë, kompani ndërtuese, zyrtarë që kanë certifikuar duhet të vendosen para ligjit dhe të paguajnë deri në qindarkën e fundit, dëmin e madh që u kanë bërë qytetarëve dhe buxhetit. Dhe kjo është detyra e SPAK./Kapitali







