Ballina Aktualitet Tokë publike dhe miliona euro të devijuara për Kolegjin e Evropës

Tokë publike dhe miliona euro të devijuara për Kolegjin e Evropës

36
0

Në kryeqytet, në zonën e njohur si “Qytet Studenti”, ku ndër vite strehohet numri më i madh i studentëve, po punohet çdo ditë për ngritjen e kampusit të Kolegjit Europian, një kolegj elitar i cili shtrihet në vetëm 3 qytete në botë: në Bruges të Brukselit, Natolin të Polonisë dhe që nga viti 2024, aktiviteti i tij u zgjerua edhe në Tiranë.

Ky projekt u mirëprit nga ekspertët dhe autoritetet si një zhvillim i cili sillte në Shqipëri një ekspertizë evropiane, formonte kuadrot e ardhshëm që do të drejtojnë integrimin dhe zhvillimin e rajonit e mbi të gjitha, rritej vizibiliteti i Shqipërisë si partner strategjik.

Por, ndërtimi i kësaj godine vjen në një kohë kur universitetet publike shqiptare përballen me godina të amortizuara, mungesë hapësirash dhe projekte të mbetura pezull.

Ekspertë dhe aktorë të shoqërisë civile ngrejnë shqetësimin mbi mënyrën e implementimit të këtij projekti, i cili duket se po merr formë mbi atë që realisht i përket 20 mijë studentëve të Universitetit Publik të Tiranës.

Projekti gëzon mbështetje të drejtpërdrejtë institucionale, truall publik dhe financime të konsiderueshme shtetërore, të cilat më herët iu premtuan studentëve shqiptarë.

Tokë publike dhe miliona euro të devijuara

Në vitin 2019, kryeministri Edi Rama dhe kryebashkiaku Erion Veliaj premtonin para studentëve shqiptarë realizimin e një kampusi të ri të Universitetit të Tiranës që do të ndërtohej tek Qyteti Studenti.

Ata zhvilluan dhe takime prezantuese për projektin në auditoret e mbushura plot me studentë, të cilëve iu premtua kampusi i ri universitar sipas standardeve evropiane.

Ky premtim erdhi një vit pasi studentët marshuan në protestën e vitit 2018, ku ndër të tjera protestonin edhe për mungesë hapësirash studentore.

Sipas Ramës, ky projekt ishte projektuar që në 2015, por pengesë ishte bërë marrja e ambienteve të Qytet Studenti nga njerëz të pushtetit, duke akuzuar figura të kahut kundërshtar politik.

“Projekti ngeci për një shkak shumë konkret dhe domethënës sepse gjithçka e parashikuar të bëhet në këtë territor, ka nevojë për territor. Territori rezultoi nga të gjitha të dhënat e mbledhura, një tokë e xanun nga politikanët e partisë që lindi në qytetin studenti. Simboli i kësaj është marrja e mencës së madhe të qytetit studenti, nga vëllai i presidentit të Republikës. Bibliotekat u kthyen në klube striptizmi ose në lloto dhe po ashtu u zaptuan godina për qëllime personale, u ndërtua pa leje, u ndërtua edhe me leje.” – u shpreh Rama në fjalën e tij përpara studentëve të Univeristetit të Tiranës.

Sipas kryeministrit, kishte ardhur koha për ndërtimin e kampusit, dhe synimi ishte realizimi i tij gjatë mandatit të dytë të Erion Veliajt, i cili ishte në prag të kandidimit për të fituar Tiranën për të dytën herë.

Kësisoj edhe këtë nismë kryeministri Rama ia besoi kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj.

Studentëve iu prezantua projekti ambicioz që përfshinte rivitalizimin e godinave ekzistuese dhe krijimin e hapësirave moderne të studimit me një vëmendje të veçantë në aspektin social-kulturor, e të dizenjuara për t’u ofruar të rinjve një jetë studentore dinjitoze.

Në fund të qershorit të 2020, qeveria shqiptare miratoi një vendim që mban firmën e zv/kryeministrit të kohës, z. Erion Brace, ku Bashkia Tiranë përcaktohej si autoriteti kontraktor për zhvillimin e procedurave të prokurimit me objekt “Ndërtimi i Kampusit të Tiranës”.

Pasi kaluan 2 vite pa asnjë veprim konkret, Bashkia Tiranë shpalli procedurën e tenderimit për studim-projektimin “Ndërtimi i Universitetit të Tiranës”, së bashku me “Ndërtimi i Universitetit të Arteve” dhe “Ndërtimi i Akademisë së Policisë”.

Kjo procedurë e shtatorit të 2022, që kushtoi 5 milionë euro nga buxheti i shtetit, u duk se riktheu premisat për fillimin e punës.

Ndërtimi i kampusit, i cili u prezantua si investimi më i madh i bërë ndonjëherë në arsimin e lartë shqiptar, pritej të niste në vitin 2021 dhe të ishte gati në 2026. Efektet financiare për zhvillimin e projektit do të përballoheshin nga buxheti i shtetit, ndërsa Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Kulturës, dhe Ministria e Brendshme ngarkoheshin për zbatimin e këtij vendimi.

Qeveria shqiptare kishte parashikuar vlerën e 17 milionë eurove për ndërtimin e Kampusit të Ri të Universitetit të Tiranës, një premtim i bujshëm i rikthyer sërish në zgjedhjet qendrore të vitit 2021.

Por, fati i ndërtimit të këtij kampusi mori një kthesë tjetër. Ndërkohë që studentët shqiptarë prisnin nisjen e punimeve për kampusin e tyre të Universitetit të Tiranës, një universitet tjetër, prestigjioz dhe privat, shtriu aktivitetin në Shqipëri.

Në vend të UT-së, vjen Kolegji i Evropës

Në një ditë të ftohtë vjeshte, Federica Mogherini, ish-përfaqësuese e lartë evropiane dhe rektore e Kolegjit Europian, mbërrin në Tiranë. Nën shoqërinë e kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut Erion Veliaj, ajo firmos një marrëveshje që do të shënojë një kthesë në historinë e arsimit të lartë në Shqipëri. Në sy të dhjetra kamerave ata firmosën “Memorandumin e Mirëkuptimit” që i hapi rrugën funksionimit të degës në Tiranë të Universitetit Elitar të Diplomatëve të rinj nga bota.

Ky moment u shoqërua me entuziazëm dhe fjalë të mëdha për “bashkëpunim evropian”, ndërkohë që pak ditë pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, qeveria miratoi edhe një vendim të posaçëm ku njoftohej ndërtimi i kampusit të Kolegjit Europian.

Po ashtu, qeveria vendosi edhe 17 milionë euro për ndërtimin e kampusit, e njëjta shumë që më herët, në takime po kaq pompoze të fushatave elektorale, ishte premtuar si investim i qeverisjes për Universitetin e Tiranës.

Më 22 gusht 2024 u zhvillua tenderi për “Ngritjen e Infrastrukturës arsimore të Kolegjit të Europës”, me fond limit 1.695.747.920 lekë. Fitues u shpallën kompanitë “Fusha” dhe “Ed-Konstruksion”, të cilat vazhdojnë punimet.

Ekspertët e shohin këtë si një “devijim” të fondeve. 17 milionë euro-t, të cilat duhej të shkonin për 20 mijë studentë shqiptarë, po përdoren për një institucion privat me shumë më pak studentë.

Akademiku Taulant Muka, ish-ministër i Arsimit, e cilëson këtë vendim si një parregullsi morale, duke theksuar se është e padrejtë t’i jepet prioritet një institucioni privat, duke anashkaluar universitetin publik.

“Nuk mund t’i japësh prioritet si shtet një institucioni që nuk është shtetëror, nuk është publik, për më tepër është i huaj, dhe të anashkalosh institucionin më të rëndësishëm arsimor në vend, që është Universiteti i Tiranës.” – u shpreh Muka.

Ai vuri në dukje se 17 milionë euro-t, që duhej të shërbenin për 20 mijë studentë, po shkojnë për një institucion që ka shumë më pak studentë, duke e konsideruar këtë një problem ekonomik dhe moral.

“Dhe këtu çdokush pyet që si është e mundur që 17 milionë euro i hiqen 22 mijë studentëve që universiteti i ka, për një kampus për 22 mijë vetë, dhe këto 17 milionë euro kushton dhe për një kampus për 100 vetë, se nuk ka më shumë se 100 studentë Kolegji i Evropës. Pra ka një problem ekonomik edhe në transferimin e parave” – tha Taulant Muka.

Ministria e Arsimit nuk iu përgjigj pyetjeve mbi shqetësimet e ngritura nga ekspertët, por këto kontradita nuk e penguan Ministrinë e Arsimit dhe Universitetin e Tiranës që në fillim të sezonit të ri akademik të 2024 të nënshkruanin marrëveshje bashkëpunimi me Kolegjin Europës, Ministrinë e Arsimit, dhe Universitetin e Tiranës më datë 29.02.2024.

Ky ishte viti i parë i çeljes zyrtare të mësimdhënies në këtë kolegj, në ceremoninë e të cilit mori pjesë edhe kryeministri Edi Rama, duke mos kursyer falenderimet dhe lavdet për rektoren Mogherini e cila, tashmë është nën hetim në Bruksel nën akuzën e mashtrimit.

Prej dy vitesh, studentët e Kolegjit po i kryejnë studimet në Godinën “Liria”, si një gjetje provizore, derisa kampusi i ri të jetë gati.

Për ekspertin Taulant Muka, marrja e një prej godinave më të mira të Universitetit është e padrejtë, sidomos pasi studentët kanë protestuar pikërisht për mungesën e ambienteve mësimore.

“Abuzimi shkon edhe më tej pasi kolegji i Evropës sot funksionon në Godinën “Liria” që është ndër godinat më të mira të Universitetit të Tiranës. Mos harrojmë në 2018 studentët protestuan për mungesë ambientesh, dhe praktikisht ti po përzë 22 mijë studentë për t’i dhënë prioritet studentëve të një institucioni tjetër.” – tha Taulant Muka.

Kampus për 100 studentë

Në qytetin Studenti, përpara Godinës “Liria”, puna vazhdon pa ndërprerje. Trualli është i rrethuar me gardh metalik, automjetet e mallrave sjellin materialet e nevojshme, dhe themelet e ndërtesës kanë nisur të ngrihen. Çdo ditë punimet vijojnë me ritëm të shpejtë për të përmbushur afatet e ndërtimit të Kampusit të Kolegjit Europian.

Sipas ekspertëve, ndërtimi i këtj kampusi po merr formë mbi tokë shtetërore, aty ku ishte premtuar ndërtimi i Kampusit të Tiranës, por Ministria e Arsimit tha për “shteg.org” se hapësira e dedikuar për ndërtimin e Kolegjit të Evropës, nuk ka qenë e parashikuar për ndërtimin e kampusit të Universitetit të Tiranës.

Përgjigjia e dhënë shkurt bie ndesh me Vendimin Qeveritar të 13 marsit 2024, i cili thotë qartësisht se zhvillimi i projektit “Kolegjit të Europës” në zonën kadastrale 8160, u miratua duke pasur parasysh procedurat e zhvilluara më parë në kuadër të vendimit nr. 641, datë 29.7.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e autoritetit kontraktor për zhvillimin e procedurave të prokurimit publik për projektet “Ndërtim i kampusit të ri të Universitetit të Tiranës”.

Përdorimi i këtij trualli duket se fsheh një sërë parregullsish proceduriale e administrative në raport me legjislacionin shqiptar për planifikimin e territorit.

Ekspertët thonë se projekti nuk pasqyrohet në Planin e Detajuar Vendor (PDV) të zonës përkatëse, dokument ky i detyrueshëm për çdo ndërhyrje ndërtimore të kësaj përmasë.

“Ka probleme dhe parregullsi me mënyrën si po ndërtohet gjithë kampusi, pra infrastruktura. Nuk është miratuar plani i detajuar i zonës që duhet bërë përveçse lejes së ndërtimit.” – tha Taulant Muka.

Sipas legjislacionit shqiptar, Plani i Detajuar Vendor (PDV) i miratuar dhe i harmonizuar me Planin e Përgjithshëm Vendor të Tiranës është hapi i parë dhe i domosdoshëm për dhënien e lejes së ndërtimit.

Por mungesa e tij nuk e ndaloi Këshillin Kombëtar të Territorit (KKT) të miratonte koncept idenë dhe lejen e zhvillimit të ndërtimit të projektit, më 2 korrik të 2024.

Arkitektja dhe urbanistja Entela Koja denoncon parregullsi të rëndësishme në procesin e ndërtimit të kampusit. Ajo thekson se ndryshimi i destinacionit të tokës, nga publike dhe arsimore në një institucion privat, kërkon akte zyrtare dhe konsultim publik.

Koja shton se nuk është publikuar asnjë dokument për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis (VNM), i cili është i detyrueshëm sipas ligjit për projekte të kësaj përmase.

Sipas saj, nuk ka pasur konsultim publik me komunitetin e prekshëm, duke shkelur ligjin që kërkon pjesëmarrje dhe transparencë në projekte me ndikim territorial.

“Ligji parashikon detyrimin për zhvillimin e konsultimeve publike për çdo projekt me ndikim të konsiderueshëm territorial. Për këtë projekt nuk rezulton të jetë publikuar apo dokumentuar ndonjë proces i tillë.” – u shpreh Koja.

Për urbanisten e mirënjohur, procesi i konsultimeve publike është një ndër hallkat më të rëndësishme kur ndërmerren projekte që prekin komunitetin, dhe marrja e aprovimit të tyre duhet të jetë e domosdoshme.

Gjithashtu, transferimi i administrimit të pronës shtetërore tek Fondi Shqiptar i Zhvillimit ngre dyshime për tejkalim kompetencash, pasi ky institucion nuk ka ligjërisht kompetencë për administrimin e pronës shtetërore.

“Ligji përcakton qartë se pronat shtetërore administrohen vetëm nga organet e administratës publike, ndërsa FSHZH është një agjenci zbatuese projektesh dhe nuk ka kompetencë ligjore për administrimin e pronës shtetërore.” – tha urbanistja Koja.

Sipas ekspertëve, ky transferim ngre dyshime serioze për tejkalim kompetencash dhe shkelje të drejtpërdrejtë të ligjit.

Ekspertët theksojnë se ndërtimi i kampusit të Kolegjit Europian po bëhet mbi shkelje të njëpasnjëshme procedurale dhe ligjore, duke cenuar transparencën dhe ligjshmërinë e projektit.

Ndërkohë që ndërtimi i Kolegjit Europian vazhdon, kampusi i Universitetit të Tiranës është lënë në heshtje, së bashku me 5 milionë eurot e shpenzuara për studimin dhe projektimin e tij.

Ministria e Arsimit dhe Bashkia e Tiranës nuk u janë përgjigjur pyetjeve për mosfillimin e projektit, për planin e ardhshëm të ndërtimit të kampusit dhe për përgjegjësinë për 5 milionët e shpenzuar.

Shteg, iu drejtua me një kërkesë për informacion dhe Kolegjit të Europës, por deri në publikimin e këtij shkrimi, kërkesa jonë është lënë pa përgjigje.

Por sipas akademikut Taulant Muka, drejtuesit e institucioneve arsimore shqiptare po zhdukin pronën publike duke favorizuar institucionet e huaja.

“Ne në krye të institucioneve arsimore, në krye të ministrisë së Arsimit, në krye të politikëbërjes, kemi vendosur njerëz që shkatërrojnë pronën publike dhe nga ana tjetër favorizojnë institucione që patjetër janë të mirëpritura, por duke respektuar standardet me të cilat ato janë ndërtuar.” – shtoi Taulant Muka.

Sipas akademikut, shtrirja e Kolegjit Europian në Shqipëri duhet të pasqyrojë vlerat evropiane, por mënyra e implementimit të projektit lë shumë për të dëshiruar. Megjithatë, ai shpreh besimin se bordi drejtues i Kolegjit Europian do të reflektojë mbi këto parregullsi. / Shteg.org