Ballina Europë (Vetë)vrasja misterioze në Milano/ Bankieri i fuqishëm ukrainas dyshohet se u hodh...

(Vetë)vrasja misterioze në Milano/ Bankieri i fuqishëm ukrainas dyshohet se u hodh nga kati i katërt

16
0

Një ngjarje e errët dhe plot mister ka tronditur Milanon. Alexander Adarich, një bankier i njohur ukrainas 54-vjeçar, u gjet i vdekur pasi ra nga dritarja e katit të katërt të një ndërtese në via Nerino, në qendër të qytetit. Hetimet e policisë italiane po zhvillohen me dyshimin kryesor se nuk bëhet fjalë për vetëvrasje, por për vrasje të inskenuar.

Ngjarja ndodhi të premten e kaluar. Sipas hetuesve, Adarich mund të ketë qenë tashmë i vdekur kur u hodh nga dritarja e dhomës së një apartamenti që e kishte marrë me qira. Prokuroria e Milanos, e drejtuar nga prokurori Rosario Ferracane, ka hapur një hetim për vrasje dhe po përpiqet të rindërtojë lëvizjet e viktimës gjatë qëndrimit të tij të shkurtër në Itali.

Brenda apartamentit, policia ka gjetur dokumente të çuditshme: pasaporta dhe letra me kombësi të ndryshme, por me fotografinë dhe identitetin e Alexander Adarich. Ende nuk është e qartë nëse këto dokumente janë lënë qëllimisht për të krijuar konfuzion apo thjesht janë harruar nga autorët e krimit.

Adarich kishte mbërritur në Milano në mëngjes dhe kishte planifikuar të largohej po atë mbrëmje. Ai nuk kishte qenë kurrë më parë në qytet. Gjithashtu, apartamenti Airbnb nuk rezulton i prenotuar në emrin e tij, gjë që forcon dyshimet se ai ishte thirrur për një takim me persona të tjerë, ndoshta për të mbyllur një marrëveshje të rëndësishme. Pikërisht kjo marrëveshje e panjohur mund të përbëjë motivin e vrasjes. Hetuesit përjashtojnë, për momentin, përfshirjen në trafikun e drogës apo mashtrimeve të zakonshme financiare. Skenari duket shumë më kompleks, thuajse si një histori spiunazhi, duke pasur parasysh profilin e viktimës.

Alexander Adarich kishte një karrierë të gjatë dhe të diskutueshme në botën bankare. I lindur në Pavlohrad, pranë Dnipro-s, ai kishte dy diploma universitare dhe në vitin 2006 ishte futur në listën e 100 menaxherëve më të fuqishëm të Ukrainës. Nga viti 2012 deri në 2020 ishte pronar i Fidobank, një bankë tregtare ukrainase, e cila më vonë u mbyll nga autoritetet për shkak të dyshimeve për abuzime financiare dhe përvetësim fondesh në vlerë miliona euro.

Pas problemeve në Ukrainë, aktivitetet e tij financiare u zhvendosën në Qipro, Luksemburg dhe vende të tjera offshore, ndërsa emri i tij u lidh edhe me interesa ekonomike në zonën portuale të Odesës. Këto lëvizje ndodhën në vitet më të nxehta të luftës mes Ukrainës dhe Rusisë, duke shtuar edhe më shumë mister rreth figurës së tij.

Çfarë po bënte një njeri me një profil kaq të lartë në Milano, në një takim jozyrtar dhe në një apartament me qira ditore, është pyetja që mbetet ende pa përgjigje. Autopsia dhe hetimet e mëtejshme pritet të hedhin dritë mbi këtë ngjarje, që për momentin mbetet një nga misteret më të errëta kriminale të fundit në Itali./Corriere Della Sera