Ballina Sport Barazim dramatik në Partizani-Elbasani

Barazim dramatik në Partizani-Elbasani

20
0

Partizani dhe Elbasani barazuan 2-2 mes tyre, në ndeshjen e vlefshme për javën e 22-të në Superiore.

Ndeshja kishte gjithçka brenda, përveç fituesit. Lajthia i dha avantazhin Elbasanit në minutën e 22-të, para se Janacek të linte skuadrën e tij me 10 lojtarë, pas ndëshkimit me të kuq.

Edhe pse në inferioritet numerik, Elbasani kishte mundësinë për golin e dytë në minutën e 36-të, por Tsague gaboi nga penalltia, duke gjuajtur jashtë.

Vetëm katër minuta më vonë, ishte Xhuljano Skuka, i cili barazoi shifrat, rezultat me të cilin u mbyll pjesa e parë.

Partizani përmbysi rezultatin në minutën e 65-të me Isgandarlin. Në minutën e 85-të, ndeshja u ndërpre për 5 minuta, pasi në fushë kishte momente paniku.

Mbrojtësi i Partizanit, Saliou Sembene humbi ndjenjat në fushë, duke shkaktuar ankth dhe frikë, ndërsa ndërhyrja e stafeve mjekësore ishte e menjëhershme.

Pas disa sekondave, lojtari për fat të mirë u përmend dhe u shoqërua drejt largimit nga fusha. Në fund, Elbasani ia doli të gjejë golin e barazimit. Ishte sërish Lajthia, që shënoi në portën e Qirkos, pas një rrëmuje në zonë.

Me këtë barazim, Elbasani ngjitet në kuotën e 39 pikëve në vendin e dytë, po aq sa edhe Vllaznia kryesuese, që ka një ndeshje më shumë për të luajtur.

Partizani mban vendin e pestë me 27 pikë të grumbulluara.