Gjykata Kushtetuese vendosi të premten të rrëzojë kërkesën e kryeministrit Edi Rama dhe të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës së Posaçme (GJKKO) për pezullimin nga detyra të zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Me këtë vendim, Kushtetuesja jo vetëm konfirmoi efektin e masës së GJKKO-së, por rrëzoi edhe argumentin politik që Rama kishte përdorur për të shtyrë vendimmarrjen mbi kërkesën tjetër të SPAK për heqjen e imunitetit nga arresti ndaj Ballukut.
Pas një seance maratonë prej mbi 12 orësh, trupa prej tetë anëtarësh e Gjykatës Kushtetuese votoi 4 me 4 për kërkesën e kryeministrit. Në mungesë të shumicës së kërkuar prej pesë votash, kërkesa u konsiderua e rrëzuar dhe, për pasojë, vendimi i pezullimit i GJKKO-së mbetet në fuqi. Kjo do të thotë se Balluku nuk mund të ushtrojë detyrën e saj deri në një vendim të ri gjyqësor.
Në arsyetimin e saj, Gjykata Kushtetuese theksoi se ministri nuk bën pjesë në kategorinë e “personave të zgjedhur” në kuptimin e ligjit elektoral dhe se pezullimi nga detyra nuk përfshihet në masat shtrënguese që kërkojnë miratim paraprak të Kuvendit, edhe kur personi gëzon imunitet parlamentar.
Çështja ndaj Ballukut nisi pasi ajo u mor e pandehur për shkelje të barazisë në tenderë, pas hetimeve të SPAK që evidentuan komunikime me ish-drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar mbi përcaktimin e fituesve në tenderë me vlerë dhjetëra milionë euro. Fillimisht ajo u hetua pa masë sigurie, por GJKKO vendosi pezullimin nga detyra pas konstatimit të dyshimeve për manipulim sistemik të prokurimeve publike në ndërtimin e rrugëve.
Kryeministri Rama kishte argumentuar se GJKKO nuk kishte kompetencë të pezullonte një anëtar të Këshillit të Ministrave, pasi ministrat gëzojnë “imunitetin e deputetit” dhe, sipas tij, ky status i përjashton nga pezullimi. SPAK e kundërshtoi këtë tezë, duke sqaruar se “post i zgjedhur” janë vetëm deputetët, kryebashkiakët dhe anëtarët e këshillave bashkiakë, ndërsa ministrat janë funksione ekzekutive të emëruara.
Në seancën e 22 janarit, prokurorët Dritan Prençi dhe Dorina Bejko paralajmëruan se pranimi i kërkesës së Ramës do të cenonte rëndë rendin kushtetues dhe parimin e ndarjes së pushteteve.
Tashmë, pas vendimit të Kushtetueses, topi kalon sërish në Kuvend: socialistët duhet të shqyrtojnë kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit nga arresti ndaj Ballukut, një procedurë që është e pavarur nga çështja e pezullimit dhe duhet të trajtohet më vete.
Vendimi i sotëm shënon një moment të rëndësishëm në përplasjen mes ekzekutivit dhe drejtësisë së posaçme, duke forcuar pozitat procedurale të GJKKO-së dhe duke vënë Kuvendin përballë një vendimmarrjeje të re politike dhe ligjore./vna







