Banorë të shumtë të cilët preken nga projekti TID, për rijetëzimin e qendrës historike të Durrësit, nga ´Lidhja e Currilave´ me rrugën “Aleksandër Goga”, u ngritën në protestë këtë të martë, 10 shkurt, përpara Bashkisë së Durrësit, tesksa kjo e fundit pritet të miratojë dëmshpërblimin për 131 pronarë në mbledhjen e Këshillit Bashkiak.
Gjithashtu pritet të kalojë për miratim, edhe lista paraprake e familjeve që preken nga shpronësimet, në kuadër të projektit infrastrukturor “Lidhja e Currilave me rrugën “Aleksandër Goga”.
Sipas njoftimit të bashkisë, është miratuar në parim vlera financiare e shpronësimit prej 867.776.164 lekë, për pasuritë pronë private, që preken nga ky investim publik.
Fondi i shpronësimit do të parashikohet në buxhetin e vitit 2026-2027, ku për vitin 2026 është parashikuar fondi për shpronësim 400 000 000 lekë dhe për vitin 2027 është parashikuar fondi prej 488,786,104 lekë.
Sipas autoriteteve vendore në Durrës, lëvrimi i fondit do të kryhet pasi të jetë botuar VKM-ja për shpronësim.
Në rrugën që përshkon qendrën historike të Durrësit, gjurmët e historisë rrethohen nga kaosi i tranzicionit. Mes amfiteatrit antik, forumit dhe termave romake gjenden ndërtesa të ngritura në dekada të ndryshme.
Shumë prej këtyre banesave kanë mbijetuar më shumë se një shekull, por tashmë do të shemben për t’i hapur rrugë një projekti rijetëzimi, të njohur si TID Durrës, protjekt i financuarë nga Fondi Shqiptaro-amerikan, AADF.
Një vendim qeverie, i publikuar në Fletoren Zyrtare në gusht të 2025, parashikoi shpronësimin e 74 pronarëve, me çmime që vlerësohen se janë disafish më të ulëta se tregu.







