Banorë të lagjes nr.7 dhe 8 që preken nga shpronësimet që do të bëhen në kuadër të projektit infrastrukturor “Lidhja e Currilave me rrugën “Aleksandër Goga”, kanë protestuar sot para bashkisë së Durrësit.
Të revoltuar ata kanë kërkuar zgjidhje të problemeve të tyre. “Nuk ka mbledhje, mos guxo. Dilni nga mbledhja. Duhet të ju vijë turp”, shprehet i revoltuar një qytetar.
Gjithashtu ata kanë tentuar edhe të hyjnë në mbledhje duke u përplasur me policinë. “Po dalim nga shtëpitë ,” janë shprehur ata ndërsa tentojnë të hyjnë brenda me forcë.
Gjithashtu banorët kanë bllokuara për disa minuta rrugën përpara bashkinë, ndërsa policia ka ndërhyrë për të shpërndarë qytetarët.
Në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak një nga pikat e rendit të ditës lidhej me shpronësimet e shtëpive të këtyre banorëve, të cilat do të shemben për t’i hapur rrugë ndërtimit të unazës.
Banorët deklarojnë në prononcimin e tyre për mediat, se nuk janë vënë në dijeni më përpara lidhur me prishjen e shtëpive dhe kundërshtojnë vlerën e shpronësimit, sepse sipas tyre është e pamundur që me këtë vlerë të blejnë një shtëpi.
Banorët kërkojnë nga bashkia që t’u sigurojë më përpara një shtëpi. Sipas bashkisë, është miratuar në parim vlera financiare e shpronësimit prej 867.776.164 lekë, për pasuritë pronë private, që preken nga ky investim publik. Janë evidentuar 131 pronarë (privatë dhe shtet) për të cilët është caktuar vlera e shpronësimit.







