Nga Klevis Elezi
Situata e projekteve në Durrës është ajo që në Europë do të quhej një alarm institucional, ndërsa tek ne përpiqet të shitet si sukses propagandistik. Është për të qeshur kur sheh tabelat e mëdha me vizualizime futuriste, dhe për të qarë kur zbret në terren e gjen rrugë të pambaruara, kantierë të ngrirë dhe qytetarë që jetojnë mes pluhurit, zhurmës dhe pasigurisë.
Si studiues i politikës, unë besoj se zhvillimi nuk matet me numrin e inaugurimeve, por me cilësinë e jetës së njerëzve. Dhe në Durrës, fatkeqësisht, projektet janë kthyer në qëllim në vetvete, jo në mjet për mirëqenie sociale. Investimet nuk ndjekin një vizion të qëndrueshëm urban, por një logjikë të copëzuar, shpesh klienteliste, ku rëndësi ka kush përfiton kontratën, jo kush përfiton qytetin.
Durrësi është qytet portë e Shqipërisë, por po trajtohet si oborr eksperimentesh politike. Projekte që fillojnë pa konsultim publik, që ndryshojnë në mes të rrugës, që nuk kanë transparencë financiare dhe që nuk mbajnë përgjegjësi kur dështojnë. Kjo nuk është as e majtë, as progresiste, as europiane. Kjo është keqqeverisje.
Duhet të dini se shteti duhet të jetë garant i barazisë, planifikimit dhe drejtësisë sociale. Në Durrës sot shohim të kundërtën: lagje të lëna pas dore, ndërsa zona të caktuara përkëdhelen për interesa ekonomike; qytetarë që nuk pyeten, por vetëm njoftohen pasi fadromat kanë hyrë.
Për të qeshur është gjuha e suksesit që përdoret nga zyrtarët. Për të qarë është realiteti i qytetarëve që presin prej vitesh një rrugë të denjë, një shkollë funksionale, një hapësirë publike që nuk kthehet në beton. Europian nuk është fasada, por procesi. Demokraci nuk është postimi, por dëgjimi.
Nëse duam vërtet një Durrës europian, duhet të ndalim politikën e projekteve për kamera dhe të nisim politikën e projekteve për njerëz. Duhet llogaridhënie, transparencë dhe mbi të gjitha dinjitet qytetar. Pa këto, çdo projekt mbetet thjesht një tjetër tabelë në rrugë dhe një tjetër zhgënjim për qytetin.







