Ballina Ekonomia Alarmi demografik, Shqipëria e fundit në Evropë për shpenzimet në mbështetje të...

Alarmi demografik, Shqipëria e fundit në Evropë për shpenzimet në mbështetje të familjeve

0
32

Shpenzimet për përfitimet familjare luajnë një rol kyç në luftën kundër varfërisë dhe në promovimin e përfshirjes sociale. Ato mbështesin drejtpërdrejt buxhetet familjare dhe janë veçanërisht të rëndësishme për parandalimin e varfërisë së fëmijëve. Gjithashtu ato janë mekanizma për të stimuluar familjet në rritjen e lindshmërisë dhe luftën kundër tkurrjes së popullsisë.

Në nivel europian, sistemet e sigurimeve shoqërore dhe skemat e përfitimeve familjare ndryshojnë ndjeshëm nga një vend në tjetrin. Një nga mënyrat më të thjeshta për t’i krahasuar është shpenzimi për frymë.

Sipas të dhënave më të fundit të plota të disponueshme të Eurostat, të analizuara nga Ekofin.al, në vitin 2022 vendet e Bashkimit Europian shpenzuan mesatarisht 830 euro për person për përfitime familjare, nga 566 euro në vitin 2012 – një rritje prej 47% ose 264 euro më shumë për frymë në një dekadë.

Nga 3,789 euro në Luksemburg, në 48 euro në Shqipëri

Në BE, shpenzimet për frymë për përfitime familjare varionin nga 211 euro në Bullgari deri në 3,789 euro në Luksemburg. Kur përfshihen edhe vendet kandidate dhe ato të EFTA-s, Shqipëria rezulton me nivelin më të ulët në Europë: vetëm 48 euro për person, e ndjekur nga Turqia (57 euro) dhe Bosnje-Hercegovina (59 euro).

Në krahun tjetër të listës qëndrojnë vendet e Europës Veriore dhe Perëndimore. Pas Luksemburgut renditen Norvegjia (2,277 euro), Danimarka (1,878 euro), Islanda (1,874 euro), Suedia (1,449 euro) dhe Finlanda (1,440 euro). Edhe Gjermania (1,616 euro), Zvicra (1,375 euro), Austria (1,340 euro) dhe Irlanda (1,026 euro) shpenzojnë mbi 1,000 euro për person.

Si kanë ndryshuar përfitimet në 10 vitet e fundit?

Gjatë dekadës 2012–2022, përfitimet familjare për frymë janë rritur pothuajse në të gjitha vendet. Rritjet më të forta në përqindje u regjistruan në Poloni (+320%), Letoni (+245%), Rumani (+227%) dhe Lituani (+198%). Në vlerë absolute, Islanda (+980 euro), Luksemburgu (+819 euro) dhe Gjermania (+558 euro) shënuan rritjet më të mëdha.

Në këtë kontekst, politika familjare shihet si një instrument i drejtpërdrejtë për të adresuar rënien demografike – një sfidë që tashmë po troket fort edhe në Shqipëri.

Shqipëria përballë alarmit demografik

Të dhënat më të fundit demografike për vitin 2025 konfirmojnë trendin e tkurrjes së popullsisë në Shqipëri, me rënie të lindjeve dhe plakje të shpejtë të strukturës së popullsisë. Në këtë sfond, niveli shumë i ulët i mbështetjes për familjet bëhet edhe më problematik.

Prej janarit 2019, Shqipëria aplikon të ashtuquajturin “bonus i bebes”, me 40,000 lekë për fëmijën e parë, 80,000 lekë për të dytin dhe 120,000 lekë për të tretin – një pagesë e vetme në momentin e lindjes. Është paralajmëruar se nga viti 2026 kjo skemë do të ndryshojë, por deri më tani nuk ka asnjë zhvillim konkret.

Nga ana tjetër, për herë të parë në deklarimin e të ardhurave personale (DIVA) këtë vit do të zbatohet ulja tatimore prej 48,000 lekësh për çdo fëmijë, si dhe zbritja deri në 100,000 lekë për shpenzimet e arsimit për familjet me të ardhura nën 1.2 milionë lekë në vit. Sipas përllogaritjeve, kursimi real për familjet varion nga rreth 30 euro deri në maksimumi 250 euro në vit – një lehtësim simbolik krahasuar me kostot reale të rritjes së një fëmije.

Modeli polak: zero tatim për familjet me dy fëmijë

Një shembull më agresiv i politikave pronataliste vjen nga Polonia, e cila në fund të vitit 2025 ndërmori një nismë të re për të luftuar tkurrjen e popullsisë: për prindërit me të paktën dy fëmijë u aplikua zero tatim mbi të ardhurat. Sipas vlerësimeve, një familje kursen mesatarisht rreth 300 euro në muaj nga taksat – një shumë që ndryshon ndjeshëm buxhetin familjar dhe sinjalizon prioritet politik të qartë për mbështetjen e lindshmërisë.

Një debat që sapo ka nisur

Krahasimi europian tregon qartë se Shqipëria jo vetëm që ndodhet në fund të listës për shpenzimet për frymë për përfitime familjare, por edhe se masat aktuale mbeten të kufizuara dhe të fragmentuara. Në kushtet kur të dhënat demografike të vitit 2025 japin sinjale alarmi për tkurrjen e popullsisë, politika familjare rrezikon të mbetet më shumë simbolike sesa transformuese.

Pyetja që shtrohet është nëse Shqipëria do të kalojë nga bonuse të njëhershme dhe lehtësime modeste tatimore drejt një strategjie afatgjatë, të integruar dhe financiarisht domethënëse për mbështetjen e familjeve – përpara se rënia demografike të bëhet e pakthyeshme. /ekofin.al