Memorie.al / Ata mund të ishin intelektualë, përkthyes, artistë, shkrimtarë, fizikantë, inxhinierë, mjekë, juristë, profesorë, etj., por pas humbjes së lirisë, me futjen e tyre në burg, regjimi komunist i shndërronte në punëtorë krahu, pothuajse të gjithë. Ata thanin këneta, hapnin kanale, zhytur në baltë gjer në brez, ngrinin me krahë mijëra metër kub dhè, ndërtonin rrugë, pallate, ura, uzina e fabrika. Të burgosurit politikë në Shqipëri, gjatë viteve të regjimit komunist, trajtoheshin si skllevër. Ata janë shfrytëzuar ekstremisht si forcë pune, madje edhe në kushtet kur ishin të sëmurë e të pamundur për të punuar. Ky është tashmë një fakt i vërtetuar katërcipërisht, jo vetëm përmes dëshmive të të mbijetuarve, por edhe nga një varg dokumentesh zyrtare, ku shpjegohet në detaje se si ngriheshin e më tej, si funksiononin kampet e punës së detyruar për të burgosurit dhe si shfrytëzoheshin ata për punë në frontet më të vështira, e të pamundura për t’u mbuluar nga punëtorët e lirë.
Pas publikimit të dokumenteve mbi hapjen e një kampi të ri pune për të burgosurit në Zadrimë, në fund të vitit 1955, po sjellim sot një tjetër dokument, po nga kjo periudhë, që merr shkas nga e njëjta temë dhe që zbulon në detaje, se si ngriheshin kampet e punës së detyruar, me ç’kosto dhe si bëheshin planet për të shfrytëzuar me detyrim të burgosurit si forcë pune?
Dokumenti mban datën 8 dhjetor 1955 dhe dërgohet në Kryeministri, nga ministri i Ndërtimit, Josif Pashko. Duke vënë në dijeni edhe ministrin e Brendshëm, Kadri Hazbiu, në këtë dokument, Josif Pashko parashtron me hollësi një plan, se si mund të shfrytëzoheshin më mirë forcat e të burgosurve dhe se nga viti në vit, kostot për lëvizjen e të burgosurve nga një kamp te një kamp tjetër, ishin rritur shumë.
Pasi liston gjithë kostot për ngritjen e një kampi si ai i Zadrimës, por edhe i Kamzëz dhe Tiranës, të cilët do të shfrytëzoheshin për punë gjatë vitit 1956, Josif Pashko shkruan: “Lidhur me karakterin e punimeve t’ona dhe për një shfrytëzim më racional të forcave, të shihesh mundësia për të krijuar kampe më të shumta dhe me më pak njerëz, mbasi kështu ato mund të shfrytëzoheshin më mirë dhe nuk do rrinin kot punëtorë, sikundër rrinë sot në objektin e Kamzës, ku nga 1.000 veta, ne sot përdorim rreth 500, për mungesë front pune nga stina e keqe, etj., sepse i tillë është karakteri i punimeve t’ona që në tremujorin e e I-rë dhe në të IV-tin, mund të përdorim më pak punëtorë dhe në tremujorin e II-të dhe në të III-tin më shumë”.
Përgjatë gjithë dokumentit, fakti që bie në sy, është shfrytëzimi maksimal i forcës së të burgosurve dhe ulja e kostove të ndërtimit, për të mos e rënduar buxhetin e regjimit. Më poshtë, e sjellim të plotë dokumentin e nënshkruar nga Josif Pashko, më 8 dhjetor 1955:
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË Sekret
MINISTRIA E NDËRTIMIT Tiranë, me 8/XII/1955
Drejtoria Organizim – Kontrollit.
LANDA: Mbi ndërtimin e kampit të ri në Zadrimë për vitin 1956, si edhe për Kamzë dhe për Ndërmarrjen “21 Dhjetori” Tiranë.
TIRANË
Sikundër Jeni në dijeni, Ministria e Ndërtimit përdorë një numër të konsiderueshëm të burgosurish në punimet e saja. Gjatë vitit 1955, ne kemi patur tillë forca në Zadrimë, Kamzë dhe Tiranë dhe parashohim që po në këto qendra të kemi dhe për vitin e ardhshëm, mbasi punimet në këto objekte do vazhdojnë.
Në këtë rast deshim të Ju vejmë në dijeni, se nga viti në vitë përdorimi i këtyre forcave është duke u bërë gjithnjë më pak i leverdisëshëm për ndërtimin dhe i shtrenjtë për ekonomin e shtetit, nga fakti se kërkesat e Ministrisë së P. të Brendshme në lidhje me trajtimin e tyre dhe të forcave të Policisë shoqëronjëse, kanë ardhur gjithnjë duke u shtuar.
Përveç fjetoreve të burgosurve për të cilët ka normativë, ne ndërtojmë brenda rrethimit dhe shumë objekte të tjera si zyra, kino-theatër, rrobaqepësi, këpucari, berber, kuzhinë, infermieri, depo plaçkash, godina centrali, etj., të cilat kapin rreth 41,% të gjithë sipërfaqes që ndërtojmë brenda rrethimit.
Për trup-rojet, kazermat, komandën, bibliotekën, depot, mensa, kuzhinë, stallat, etj, ndërtojmë jashtë rrethimit një sipërfaqe prej 30,% mbi sipërfaqen totale të ndërtimeve, brenda dhe jashtë rrethimit.
Përveç sa sipër, me qenë se gjithë policët marrin me vete edhe familjet e tyre, kushtimi i kampit ngrihet akoma sepse për strehimin e familjeve të tyre, jemi të detyruar të ndërtojmë dhe një sipërfaqe tjetër prej 51,% të gjithë sipërfaqes që ndërtohet përsa u përmend më sipër, brenda dhe jashtë rrethimit. Të gjitha këto kërkesa e bëjnë tani ndërtimin e kampeve shumë të kushtueshëm, kështu që për një kamp prej 1000 vetash, nevojiten të shpenzohen rreth 5.200.000 lek.
Këtu poshtë po përshkruajmë analizën komplete për ndërtimin e një kampi për 1000 veta.
– Fjetore për 1000 veta, m2 1285.
– Dhoma shërbimi (zyra, kino-teatër, rrobaqepëse, këpucëtari, berber, etj) 576.
– Trup roje 4 copë, m2 64.
– Kazermë policësh 206.
– Mensë, kuzhinë, depo 100.
– Stallë për kafshë 18.
– Dhoma për 60 familje m2 1500.
Gjithsej si totale m2, 4728 x 1100 lek/m2. = 5.200.000.
Ne mejtojmë se Ministria e Punëve të Brendshme duhet të rishqyrtojë kërkesat e saja, si edhe organikat e forcave në frymën e shkurtimit të shpenzimeve të përgjithshme dhe administrative, sigurisht pa dëmtuar sigurinë e nevojshme.
Sidomos e kemi fjalën për forcat im-produktive të shumta që grumbullohen ndër kampet t’ona, të cilat shpesh harrojnë edhe mbi 20% të forcave totale. Ne mejtojmë që shpenzimet t’ona dhe të tyret administrative, rriten dhe më tepër në këtë mënyrë duke ndenjur këta punëtorë të sëmurë dhe të pa aftë nëpër kampe, si p.sh. në Tiranë dhe në Zadrimë dhe do t’ishte më e leverdishme që këta të rrinin nëpër burgje, sesa të transportohen poshtë e lart, këto dhe teshat e tyre, të sigurohen për to drutë e ushqimi dhe forcat për ruajtjen e tyre.
Ministria e Punëvet të Brendshme duhet të marrë masat e nevojshme për zëvendësimin e tyre, në mënyrë që përqindja e të pa aftëve të mos kalojë 5 %.
Duke marrë parasysh sa më sipër, ne mejtojmë gjithashtu që lidhur me karakterin e punimeve t’ona dhe për një shfrytëzim më racional të forcave, të shihesh mundësia për të krijuar kampe më të shumta dhe me më pak njerëz, mbasi kështu ato mund të shfrytëzoheshin më mirë dhe nuk do rrinin kot punëtorë sikundër rijnë sot në objektin e Kamzës, ku nga 1000 veta, ne sot përdorim rreth 500, për mungesë front pune nga stina e keqe, etj., sepse i tillë është karakteri i punimeve t’ona, që në tremujorin e e I -rë dhe në të IV –tin, mund të përdorim më pak punëtorë dhe në tremujorin e II -të dhe në të III -tin më shumë.
Përfundimisht ne kërkojmë që të vendoset ndarja e forcave të burgosurve në ndërtim për vitin 1956 dhe të mundim ne kështu të fillojmë menjëherë nga ndërtimi i kampeve. Nevojat t’ona konkrete për vitin 1956, në forca të burgosurve janë:
1) Për bonifikimin e Zadrimës, një forcë konstante vjetore në punë prej 700 veta. Sot në kampin e Zadrimës ndodhen mbi 1000 veta. Për këtë propozojmë të ngrihet një kamp për 700 veta në punë, në vendin që është caktuar bashkërisht me Ministrin e Punëvet të Brendshme, por në se kampi do të ndërtohet si mbas kërkesave të sotshme që përmendëm më lart, duke ndërtuar pranë tyre edhe barakat për strehimin e familjeve të policve, ay do të kushtojë rreth 3.350.000 lek.
Për vajtjen në vendin e ndërtimit të kampit të ri, do të nevojitet dhe meremetimi i 3 km. rrugë katundi, e cila do të kushtojë rreth 1.100.000 lek, kështu që kushtimi total i kampit të ri do të vejë rreth 4.450.000 lek, shifër mjaft e naltë.
Me qenë se në kampin ekzistues sot janë ngritur banesat e familjeve të policve dhe distanca ndërmjet kampit të ri dhe kampit ekzistent nuk është më se 13 km., ne mejtojmë dhe propozojmë që familjet e policve të mbeten atje ku janë dhe ne të ngrehim vetëm kampin për të burgosurit dhe nevojat e tjera të policisë që përmenden në pikat a) dhe b), duke mos ngritur ngrehinat e pikës c). Policët mund të transportohen herë mbas here në familjet e tyre me makinë. Në këtë mënyrë kampi bëhet më pak i kushtueshëm.
Në këtë mënyrë kushtimi i kampit do të mbërrinte në:
– Për ngritjen e kampit 2.500.000 lek
– Për ndërtimin e rrugës 1.100.000 lek
Kjo shifër mund të ulet edhe më, në se Ministria e P. të Brendshme do të pranojë të ulin pak dhe normativat e tjera të ngrehinave që përmenden në pikat a) dhe b) të analizës sipërme.
2) Për objektin e Kamzës na nevojitet një forcë mesatare në punë për 800 veta ndarë si vijon:
Tremujori I- rë 500, tremujori II-të 1000, tremujori III-të 1000, tremujori IV-ët 500. Për këtë objekt janë sot rreth 1000 veta në kamp dhe janë siguruar me baraka e tjera si mbas normativës ekzistente dhe policët, familjet e tyre dhe të burgosurit. Do të merren masa për sigurimin e mëtejshëm të barakave.
3) Për ndërtesat e banimit në Tiranë (Kantieri i Nd/jes 21 Dhjetori) na nevojitet një forcë mesatare për 300 veta në punë ndarë si vijon:
Tremujori I-rë 200 veta, tremujori II-të 400, tremujori III -të 400, tremujori IV-ët 200. Për këtë objekt janë sot rreth 400 veta, porsa shumica e tyre im-produktive. Duhet të merren masa për zëvendësimin e tyre. Atje po ndërtohet për vitin 1956 kampi dhe instalimi i tyre do të bëhet në një pjesë të ndërtesave definitive, ku ato po punojnë sot. Strehimi i tyre parashihet të bëhet brenda Dhjetorit 1955.
Duke marrë parasysh se jemi afër përfundimit të vitit, është e nevojshme që kjo çështje të shqyrtohet dhe të vendoset nga ana e Juaj, në mënyrë që ne të marrim masat e nevojshme sidomos përsa i përket ngritjes kampit të ri të Zadrimës, ku punimet e vitit 1955 parashihet të përfundojnë shpejtë dhe rrezikohet që forcat të mbeten pa punë mbasi, për ndërtimin e kampit si edhe të rrugës, do të nevojiten të paktën dy muaj.
Këto janë frontet e punës më të domosdoshme për këto lloj forcash për vitin 1956 dhe front pune tjetër për vitin 1956 të përshtatshëm për forca të tilla, kjo Ministri, nuk ka. Mbetemi në pritje të një përfundimi sa më të shpejtë të çështjes./ Memorie.al
MINISTRI
JOSIF PASHKO







