Ballina Sport Po dhuron gjithçka në aventurën e tij te Milani/ Luka Modriç, i...

Po dhuron gjithçka në aventurën e tij te Milani/ Luka Modriç, i fundmi i mohikanëve të futbollit klasik

85
0

Në karrierën e tij të gjatë, të pasuruar me mbi tridhjetë trofe, Luka Modriç ka thyer shumë rekorde (për shembull është një nga lojtarët që ka fituar më shumë Liga të Kampionëve, gjashtë). Rekordin e fundit e arriti mbrëmë falë golit të fitores kundër Pizës.

Mesfushori i AC Milani është bërë shënuesi më i moshuar në historinë e Serie A që ka realizuar gol nga loja e hapur. Kroati, që shënoi në moshën 40 vjeç, 5 muaj e 4 ditë, theu rekordin e mëparshëm që i përkiste Silvio Piola (7 shkurt 1954, Novara-Milan 1-1), i cili kishte shënuar në moshën 40 vjeç, 4 muaj e 9 ditë.

PODIUMI KUQEZI – Nëse llogariten edhe golat nga penalltia, Modriç renditet i treti në këtë klasifikim të veçantë, i cili ka një podium tërësisht kuqezi. Kroati paraprihet nga Alesandro Kostakurta, që shënoi nga pika e bardhë kundër Udinezes në vitin 2007 në moshën 41 vjeç e 25 ditë, dhe nga Zlatan Ibrahimoviç, që kryeson renditjen falë penalltisë së realizuar më 18 mars 2023, gjithashtu kundër Udinezes, në moshën 41 vjeç, 5 muaj e 15 ditë.

Masimiliano Alegri, pas ndeshjes Piza-Milan, nuk mund të bënte gjë tjetër veçse të lavdëronte kampionin e pafund, ish-lojtarin e Real Madrid “Është një lojtar i jashtëzakonshëm”, – deklaroi tekniku livornez për DAZN.

– “Pavarësisht cilësive të tij teknike, që janë të mrekullueshme, në fund ai shkoi ta merrte vetë këtë fitore. Ishte një veprim teknik, por edhe karakteri. Të gjithë duhet të mësojmë nga ai, ka një përulësi të jashtëzakonshme. Jemi të lumtur që e kemi. Më të rinjtë duhet ta shfrytëzojnë këtë moment kur punojnë dhe stërviten së bashku me të”.

E ARDHMJA – Milani e shijon momentin e tij dhe shpreson ta ketë në skuadër edhe sezonin e ardhshëm, kur “Djalli” mund të rikthehet në Ligën e Kampionëve. Modriç e ka fituar gjashtë herë këtë kompeticion, por ta luante me fanellën kuqezi do të kishte një domethënie të veçantë për të. Verën e kaluar kroati firmosi një kontratë deri në vitin 2026 me opsion për një sezon tjetër.

Klubi i “Via Aldo Rossi”, po të varej vetëm prej tij, ndoshta do ta kishte ushtruar tashmë këtë opsion, por duke parë marrëdhënien e madhe të respektit dhe vlerësimit mes lojtarit dhe shoqërisë milaniste, dëshiron që të jetë Luka ai që të marrë vendimin përfundimtar.

Modriç është shumë i lumtur te Milani, por tani nuk është ende momenti për të vendosur për të ardhmen. Fillimisht ka një kampionat për t’u provuar të fitohet dhe një Botëror për t’u luajtur. Më pas, në verë, ai do të bëjë vlerësimet e tij në bazë të motivimit dhe gjendjes fizike, edhe sepse në shtator do të mbushë 41 vjeç.