Vajza e aktorit të njohur kanadezo-amerikan Martin Short, Katherine Hartley Short, ka ndërruar jetë në moshën 42-vjeçare.
Sipas TMZ, ajo u gjet e pajetë në banesën e saj në zonën e Hollywood Hills mbrëmjen e së hënës, teksa dyshohet se Short ka kryer vetëvrasje.
Familja Short konfirmoi vdekjes e 42-vjeçares për TMZ duke u shprehur se “Me dhimbje të thellë konfirmojmë ndarjen nga jeta të Katherine Hartley Short. Familja Short është e shkatërruar nga kjo humbje dhe kërkon privatësi në këtë moment të vështirë. Katherine ishte e dashur për të gjithë dhe do të kujtohet për dritën dhe gëzimin që sillte në jetën e të tjerëve.”
Katherine ishte vajza e madhe e Martin Short dhe aktores së ndjerë Nancy Dolman, e cila ndërroi jetë në vitin 2010 pas një beteje me kancerin ovarian. Ajo kishte përfunduar studimet bachelor në New York University dhe më pas masterin për punë sociale në University of Southern California. Në Los Angeles ishte punonjëse sociale.
Gjithashtu, ajo ishte e përfshirë me organizatën jofitimprurëse “Bring Change To Mind”, e cila synon të luftojë stigmatizimin rreth çështjeve të shëndetit mendor.
Ndryshe nga babai i saj, i cili ka një karrierë të gjatë në industrinë e argëtimit, Katherine kishte zgjedhur të qëndronte kryesisht larg vëmendjes publike, duke u shfaqur vetëm herë pas here në evente familjare. Ajo ishte parë publikisht për herë të fundit në janar 2020, pranë restorantit Craig’s në Kaliforni.
Kjo është tragjedia e dytë për aktorin në një periudhë të shkurtër kohe. Ai së fundmi kishte nderuar publikisht mikeshën dhe kolegen e tij të vjetër, Catherine O’Hara.







