Ballina Aktualitet Në spitalin Onkologjik mungon ilaçi “Keytruda” për pacientët që vuajnë nga kanceri

Në spitalin Onkologjik mungon ilaçi “Keytruda” për pacientët që vuajnë nga kanceri

82
0

Spitalit Onkologjik në QSUT i mungon ilaçi Keytruda 25 mg/4 ml, një trajtim jetik për pacientët që vuajnë nga kanceri. Çdo dozë e Keytruda kushton rreth 3 mijë euro, por në farmacinë spitalore ai nuk gjendet.

VNA bisedoi me një 62-vjeçare me kancer në stad të katërt, një nga pacientet që përballet drejtpërdrejt me mungesën e këtij trajtimi.

Historia e saj nisi në mars të vitit 2022, kur në lëkurë i doli një shenjë e vogël. Në korrik mori diagnozën e tumorit dhe u operua në gusht. Pak muaj më vonë, sëmundja u rikthye. Diagnoza përfundimtare u vendos jashtë vendit: kancer në gradë të katërt, me përhapje në kocka dhe inde.

Në Turqi iu përcaktua edhe terapia përkatëse. Më pas u trajtua për dy vite në Zvicër. Por kur u rikthye në Shqipëri, u përball me të njëjtin realitet: ilaçi që i nevojitet ka mungesa në sistemin publik.

Sot, sëmundja i është përhapur. Dhimbjet janë të vazhdueshme. Çdo tre javë udhëton nga Durrësi drejt Onkologjikut në QSUT. Që në orën 8 të mëngjesit pret në korridore, shpesh deri në mesditë. Përgjigjja që merr është e njëjtë: duhet të presë, ndërsa ilaçi mungon.

Çdo dozë e Keytruda kushton rreth 3 mijë euro. Asaj i duhen dy në muaj – rreth 6 mijë euro, një shumë e papërballueshme. Pa këtë trajtim, thotë se ndihet e lënë në mëshirë të fatit.

Përveç mungesës së ilaçit, edhe ekzaminimet e domosdoshme si PET-Scan nuk realizohen në sistemin publik, duke e detyruar t’i drejtohet privatit me kosto të larta prej afro 1500 euro.

“Më lini të luftoj”: 62-vjeçarja me kancer në stad të katërt përballë mungesës së ilaçit jetik në Onkologjik

Për një paciente me kancer në stad të avancuar, mungesa e ilaçit nuk është thjesht një problem administrativ. Është çështje urgjence që nuk zgjidhet në vendin “shëndetësia falas” është propagandë që vret.