Subjektet e furnizimit me ujë të pijshëm kanë kryer një sërë shkeljesh gjatë vitit 2025, ndërsa qarku i Gjirokastrës rezulton me numrin më të lartë të paralajmërimeve në rang vendi.
Sipas raportit vjetor të Inspektorati Shtetëror Shëndetësor, gjatë këtij viti janë kryer gjithsej 1,548 inspektime dhe ri-inspektime në këto subjekte, ku 1,535 ishin inspektime dhe 13 ri-inspektime, ndërsa 1,018 prej tyre janë realizuar gjatë sezonit turistik, periudhë kur rritet ndjeshëm kërkesa për furnizim me ujë të pijshëm.
Nga të dhënat sipas qarqeve, Gjirokastra kryeson me 283 inspektime dhe plot 236 paralajmërime, duke përbërë diferencën më të madhe krahasuar me çdo qark tjetër në vend. Pas saj renditet qarku i Fierit me 248 inspektime, 1 ri-inspektim dhe 51 paralajmërime, ndërsa Vlora ka regjistruar 265 inspektime, 3 ri-inspektime dhe vetëm 5 paralajmërime. Qarqe të tjera si Tirana me 127 inspektime, Korça me 93 inspektime, Shkodra me 73 inspektime dhe Kukësi me 145 inspektime nuk kanë pasur paralajmërime, ndërsa Elbasani ka pasur 80 inspektime, 2 vendime për masa urgjente dhe 2 paralajmërime. Në total, në rang vendi janë dhënë 296 paralajmërime dhe janë marrë 2 vendime të ndërmjetme për masa urgjente.
Ndër shkeljet më të shpeshta janë mungesa e analizave periodike të ujit, si dhe mungesa e analizave fiziko-kimike dhe bakterologjike për vlerësimin e cilësisë së tij. Gjithashtu, shumë subjekte nuk dispononin akt-miratimin higjieno-sanitar, depot e ujit rezultonin të parrethuara, të amortizuara ose me prani lagështire, ndërsa në disa raste mungonte ruajtja e objekteve me roje 24 orë. Janë konstatuar gjithashtu mungesa të regjistrave të klorinimit, mosrinovim i certifikatave të dezinfektimit dhe mosrespektim i zonave të sigurisë.
Raporti evidenton edhe raste të analizave mikrobiologjike pozitive për ndotje të ujit të pijshëm, të njoftuara nga Njësitë Vendore të Kujdesit Shëndetësor, çka ka çuar në marrjen e masave administrative. Pesha e lartë e paralajmërimeve në Gjirokastër tregon për përqendrim të problematikave në këtë qark, duke e vendosur atë në krye të listës për shkeljet e konstatuara në sektorin e furnizimit me ujë të pijshëm gjatë vitit 2025.
Të dhënat e Inspektoratit tregojnë se, megjithëse inspektimet janë intensifikuar, sidomos gjatë sezonit turistik, një pjesë e konsiderueshme e subjekteve vijojnë të kenë mangësi në përmbushjen e standardeve bazë të sigurisë dhe kontrollit të cilësisë së ujit, duke ngritur shqetësime për nivelin e mirëmbajtjes së infrastrukturës së furnizimit në disa zona të vendit, veçanërisht në qarkun e Gjirokastrës.
Sipas raportit, subjektet e furnizimit me ujë (burim uji, kaptazhe, depo uji, stacione pompimi, ujësjellës, puse etj) konsiderohen me risk të lartë, për këtë arsye do të inspektohen 3 herë në vit./ekofin.al







