Ballina Aktualitet 26 grupe kriminale u goditën në 2025, u sekuestruan ose u konfiskuan...

26 grupe kriminale u goditën në 2025, u sekuestruan ose u konfiskuan rreth 18 milionë euro pasuri

78
0

Lufta kundër krimit të organizuar gjatë vitit 2025 ka çuar në goditjen e 26 grupeve kriminale në vend, një shifër që rezulton me rënie krahasuar me vitin paraardhës, kur u goditën 36 grupe.

Sipas Raportit Vjetor të Ministrisë së Brendshme, operacionet në bashkëpunim midis Policisë së Shtetit dhe SPAK-ut, kanë çuar para përgjegjësisë penale shumë anëtarë të këtyre grupeve, veçanërisht në qarqet Tiranë, Durrës, Shkodër, Elbasan dhe Vlorë.

Paralelisht me goditjen e grupeve kriminale, këto institucione kanë ndërmarrë aksione për sekuestrimin e pasurive që burojnë nga aktiviteti kriminal. Gjatë vitit 2025 janë sekuestruar dhe konfiskuar gjithsej 17,936,029 euro, pa përfshirë edhe 115 pasuri të tjera që janë në proces administrimi dhe vlerësimi nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara.

Vetëm në kuadër të sekuestrimeve, vlera e pasurive të bllokuara arriti në 16,896,687 euro, duke reflektuar përmasat e konsiderueshme të aseteve të lidhura me krimin e organizuar. Një pjesë e rëndësishme e kësaj shume lidhet me veprën penale të pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale, sipas nenit 287 të Kodit Penal, ku janë sekuestruar pasuri në vlerën 8,150,722 euro, pa përfshirë edhe 44 pasuri të tjera që nuk janë përllogaritur ende financiarisht.

Në të njëjtën kohë, në zbatim të ligjit antimafia janë sekuestruar pasuri në vlerën 8,745,965 euro, ose 4,6 milionë euro më pak se viti 2024, sidoqoftë duke treguar përdorimin intensiv të këtij instrumenti ligjor për goditjen e burimeve financiare të krimit të organizuar. Gjatë kontrolleve janë sekuestruar gjithashtu rreth 3,335,320 euro cash, që dyshohet se lidhen me veprimtari kriminale.

Raporti evidenton edhe kalimin përfundimtar në favor të shtetit të një pjese të këtyre aseteve. Në total, gjatë vitit 2025 janë konfiskuar 1,039,342 euro në pesë raste, nga të cilat 4 janë me vendim gjyqësor, ndërsa përveç kësaj janë konfiskuar edhe 22 pasuri të tjera që ende nuk janë vlerësuar.