Ballina Kronika Arrestohen dy të rinj në Vlorë, policia u gjen armë zjarri, fishekë...

Arrestohen dy të rinj në Vlorë, policia u gjen armë zjarri, fishekë dhe drogë

75
0

Dy të rinj janë arrestuar nga policia në Vlorë pasi u kapën me armë zjarri, municion dhe një sasi të dyshuar lënde narkotike.

Sipas njoftimit të policisë, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë ndaluan për kontroll një automjet tip “Benz” në rrethrrotullimin e bypass-it, në fshatin Babicë e Madhe.

Automjeti drejtohej nga shtetasi me iniciale F.H., 25 vjeç, banues në Vlorë, ndërsa pasagjer ishte shtetasi D.A., 25 vjeç, gjithashtu banues në Vlorë.

Gjatë kontrollit fizik ndaj drejtuesit të automjetit, në çantën e tij marsup policia gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri pistoletë me një krëhër me pesë fishekë. Gjatë kontrollit në banesën e F.H. u gjetën dhe u sekuestruan edhe 20 fishekë luftarakë, një sasi e dyshuar lënde narkotike kanabis si dhe një maskë plastike.

Po ashtu, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan katër aparate celularë dhe automjeti i përdorur nga i dyshuari.

Si rezultat , policia arrestoi shtetasin F.H. për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, ndërsa shtetasi D.A. u arrestua për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Vlorës, vijojnë hetimet për të verifikuar përfshirjen e mundshme të tyre në ngjarje të tjera kriminale.