Ballina Europë Marrëveshja Itali–Shqipëri në pikëpyetje: Gjykata e Romës ngre dyshime për qendrën në...

Marrëveshja Itali–Shqipëri në pikëpyetje: Gjykata e Romës ngre dyshime për qendrën në Gjadër

65
0

Gjykata e Apelit në Romë ka marrë disa vendime të rëndësishme lidhur me mbajtjen e tre migrantëve në qendrën e emigrantëve në Gjadër. Bëhet fjalë për tre shtetas marokenë që kanë paraqitur kërkesë për mbrojtje ndërkombëtare.

Sipas dokumenteve të gjykatës, gazetarja e SYRI TV, Alba Kepi raporton se kërkesa për konfirmimin e mbajtjes së tyre nuk mund të shqyrtohej plotësisht, pasi gjykata ka ngritur dyshime mbi ligjshmërinë e marrëveshjes mes Italisë dhe Shqipërisë. Kjo marrëveshje parashikon transferimin e disa migrantëve nga Italia në qendra pritjeje të ngritura në territorin shqiptar.

Gjykatësit theksojnë se çështja është dërguar për interpretim në Gjykatën e Drejtësisë së Bashkimit Evropian. Kërkesa paraprake është bërë nga vetë Gjykata e Apelit në nëntor të vitit të kaluar, me qëllim sqarimin nëse kjo marrëveshje është në përputhje me ligjet dhe direktivat e Bashkimit Evropian.

Tre personat në fjalë janë shtetas marokenë ndaj të cilëve ishte lëshuar më parë një urdhër dëbimi nga Italia. Sipas të dhënave, disa prej tyre kanë pasur edhe dënime të mëparshme për vepra penale si trafik droge, dhunë seksuale dhe kundërshtim ndaj urdhërit të autoriteteve.

Në vendimet e tyre, gjykatësit theksojnë se vazhdojnë të ekzistojnë dyshime nëse mbajtja e kërkuesve të azilit jashtë territorit të Bashkimit Evropian është në përputhje me direktivat evropiane. Sipas rregullave të BE-së, një person që kërkon azil ka të drejtë të qëndrojë në territorin e shtetit anëtar i BE derisa të merret një vendim përfundimtar për kërkesën e tij.

Gjykata gjithashtu vëren se në disa raste mungojnë prova të qarta që kërkesat e mëparshme për azil janë refuzuar zyrtarisht ose se vendimet janë njoftuar sipas procedurave ligjore.

Vendimi përfundimtar mbi këtë çështje pritet nga Gjykata e Drejtësisë së Bashkimit Evropian, e cila do të japë interpretimin e saj për marrëveshjen mes Italisë dhe Shqipërisë dhe për përputhshmërinë e saj me ligjin evropian.