Nga Reinaldo Pipiria
Tatimi mbi Strehimin nuk duhet kurrësesi të katandiset në lojë shifrash të pakuptimta dhe aq më tepër në amulli të pasigurisë juridike.
Norma Efektive e Tatimit të Rivlerësimit ka qënë, është dhe do të jetë 5% gjatë gjithë kësaj fushate rivlerësimi. Ndryshe nga sa u deklarua për shumë muaj me rradhë, nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë favor ndaj individëve që rivlerësojnë pasurinë sipas çmimit të referencës. Amortizimi 1%/vit vjetërsi nuk shkakton asnjë ndryshim efektiv, për më tepër aplikohet arbitrarisht, pa mundësi zgjedhjeje.
Nga praktika e deritanishme, rezulton:
Shtëpi e blerë për herë të parë në vitin 2005, 60’000 EUR, 20 vite të plota në zotërim me çertifikatë pronësie.
Sot ka një Vlerë minimale Fiskale 100’000 EUR (çmim reference).
Individi vendos të ndjekë proçesin e rivlerësimit sipas Vlerës minimale Fiskale (pa vlerësues të pasurive të paluajtshme).
5% të diferencës midis Vlerës Minimale Fiskale (Amortizuar -1% për çdo vit nga momenti i fitimit për herë të parë të titullit të pronësisë/çertifikatës së parë, aplikuar automatikisht në ASHK) dhe Çmimit të Blerjes. Në këtë rast amortizimi është 20 mijë euro (20 vjet *1%*100’000) dhe vlera minimale fiskale shkon në 80 mijë euro.
Rrjedhimisht tatimi që do të paguajë individi është (80’000-60’000) *5% = 1’000 EUR.
Por marifeti qëndron në faktin se vlera që vendoset në Kartelë, është Vlera Minimale Fiskale e Amortizuar automatikisht me 1%/çdo vit të plotë përdorimi, pra vendoset 80’000 EUR dhe për pasojë norma efektive e Rivlerësimit ngelet po 5%, pa asnjë favor.
Për më tepër, në të ardhmen baza e tatueshme do të fillojë nga vlera e gjymtuar në kartelë, duke të zgjeruar artificialisht barrën. Pra nëse individi do ta shesë shtëpinë më vonë, atij do t’i llogaritet si çmim blerje vlera 80 mijë euro dhe jo 100 mijë euro.
Nëse në kartelë do vendosej çmimi minimal fiskal 100’000 EUR por tatimi do përllogaritej mbi vlerën e amortizuar, atëherë vërtetë do ishim në normë efektive sipas reklamave disa mujore.
Kështu, vazhdoj besoj se Amortizimi 1%/vit vjetërsi, në rastin më të mirë nuk i hyn në punë askujt (sidomos me këto çmime reference)…në rastin më të keq krijon pasiguri, arbitraritet dhe disavantazh fiskal për të ardhmen.







