Ballina Politika “Gjuetia e Shtrigave” në Lindjen e Mesme për të mbuluar “ferrat” e...

“Gjuetia e Shtrigave” në Lindjen e Mesme për të mbuluar “ferrat” e Ballukut

27
0

Në teatrin politik shqiptar, sa herë që laku i drejtësisë apo presioni i ndërkombëtarëve fillon e shtrëngohet rreth të rëndësishmëve të qeverisë, Kryeministri Edi Rama nxjerr nga xhepi një “armik të jashtëm”. Këtë herë, skenari është i qartë: Irani, Hezbollahu dhe Garda Islamike janë thirrur në skenë për të luajtur rolin e zhurmuesit, ndërkohë që në prapaskenë, emri i Belinda Ballukut po lakohet gjithnjë e më shumë në korridoret e SPAK.

Nuk është rastësi që deklaratat e forta për shpalljen e Iranit si shtet sponsor i terrorizmit vijnë në të njëjtën konferencë ku Rama u detyrua të flasë për “ferrën e korrupsionit” që mund t’i dalë para zëvendëskryeministres së tij.

Strategjia është e vjetër sa bota: “Look over there!” (Shikoni andej!). Ndërsa opinioni publik duhet të shqetësohet për rrezikun global të Gardës Islamike, vëmendja zhvendoset nga tenderat, rrugët me kosto marramendëse dhe dosjet e nxehta që SPAK ka mbi tavolinë për “ministren e hekurt”.

Rama u tregua “trim” edhe me partnerët strategjikë. Deklarata e tij se nuk pranon të shihet “nga lart-poshtë” është një kod i qartë për tensionet që ekzistojnë nën rrogoz. Kur ndërkombëtarët kërkojnë llogari për korrupsionin në nivele të larta, Rama vesh petkun e sovranistit.

“Kemi pasur debat me partnerët, jo kërcënime,” u shpreh ai, duke u përpjekur të minimizojë atë që duket si një krizë besimi me kancelaritë perëndimore pikërisht për shkak të aferave korruptive që po prekin kupolën e rilindjes.

• Irani si “target”: Një lëvizje gjeopolitike që i pëlqen SHBA-së, e përdorur si monedhë këmbimi për të blerë qetësi në frontin e brendshëm.
• Balluku në mëshirë të SPAK: Rama publikisht i lë dorë të lirë drejtësisë, por mesazhi i fshehur është një distancim taktik: “Nëse ferra të zë këmbën, dil vetë prej saj”.
• Sovraniteti si mburojë: Refuzimi i “presionit” ndërkombëtar shitet si krenari kombëtare, ndërkohë që mund të jetë thjesht irritim nga kërkesat e prera për rezultate konkrete kundër korrupsionit.

Edi Rama po luan një lojë të rrezikshme balancimi. Nga njëra anë, ai “trimohet” me ajatollahët e Iranit për të fituar pikë si aleat besnik i Perëndimit, dhe nga ana tjetër, përpiqet të mbajë në këmbë godinën e tij qeveritare që po dridhet nga goditjet e SPAK. Pyetja që mbetet është: A do të mjaftojë Irani për të fshehur “ferrën” ku ka ngecur Balluku?

Shqipëria nuk është e para, por po bëhet pjesë e një rrethi të ngushtë që është zgjeruar ndjeshëm kohët e fundit:

• SHBA: Ka qenë pionierja, duke e shpallur Gardën Revolucionare (IRGC) organizatë terroriste që në prill të vitit 2019.
• Kanada: Pas një presioni të gjatë politik, Kanadaja e hodhi këtë hap në qershor 2024, duke bllokuar asetet dhe ndaluar hyrjen e mijëra zyrtarëve iranianë.
• Bashkimi Evropian: Pas vitesh hezitimi, vetëm pak javë më parë, më 29 janar 2026, Bashkimi Evropian mori vendimin unanim për të shpallur IRGC-në si organizatë terroriste. Ky vendim erdhi pas shtypjes së përgjakshme të protestave në Iran dhe përfshirjes së tyre në konflikte rajonale.

Pse Ramës i duhet ky “trimërim” sot?

Ndërsa bota e bën këtë për arsye gjeopolitike dhe sigurie, në Shqipëri, ky “aksion” duket si një parashutë politike.
1. Sinkronizim me BE-në për të mbuluar Ballukun: Duke u rreshtuar me vendimin e fundit të Brukselit, Rama kërkon të tregojë se është “nxënësi i shkëlqyer” i ndërkombëtarëve. Mesazhi nën rreshta është: “Si mund të më kritikonit për korrupsionin e Ballukut, kur unë jam roja juaj besnike kundër terrorizmit iranian?”
2. Krijimi i një “Krize artificiale”: Duke e fokusuar konferencën te kërcënimet globale, ai tenton të minimizojë pyetjet e bezdisshme të gazetarëve për dosjet e SPAK dhe “ferrat” ku ka ngecur zëvendësja e tij.

Ndërsa Irani është padyshim një kërcënim (siç e kemi parë me sulmet kibernetike në Shqipëri), përdorimi i kësaj çështjeje si “kokë turku” për të shmangur llogaridhënien e brendshme, është një mjeshtëri e vjetër e komunikimit të Ramës./vna