Nga Lekë Mrijaj
Në mbamendjën tonë historike kombëtare ka epokë dhe data të kohëve të ndryshme që nuk janë vetëm data përkujtimore, por që shndërrohen në momente reflektimi, ndërgjegjësimi dhe rikthimi tek rrënjët. Një e tillë është edhe kjo ditë, kur përkujtojmë 305-vjetorin e kalimit në amshim të Papa Albanit XI, një figurë e ndritur e historisë së Kishës Katolike dhe një personalitet me prejardhje shqiptare, që mbetet një simbol i fuqishëm i lidhjes ndërmjet identitetit dhe përjetësisë.
Papa Albani XI, i njohur botërisht si Papa Klementi XI, nuk është vetëm një figurë e rëndësishme në historinë kishtare, por edhe një pikë takimi mes botës shqiptare dhe asaj evropiane. Ai me plotë kuptimin e fjalës, vertetë përfaqëson një urë të gjallë që lidh rrënjët me arritjet, vendlindjen me universalen, dhe një popull të vogël me një ndikim të madh në historinë shpirtërore të kontinentit. Ndaj edhe prejardhja e tij lidhet me një trung fisnik shqiptar, nga familja e Mikel Laçit, në Laç të Kurbinit. Edhe pse kjo trevë mund të duket e vogël në hartën gjeografike, ajo është dhe mbetet aq e madhe në hartën e kujtesës historike. Pikërisht nga këto rrënjë, nga kjo tokë e heshtur, doli një figurë që do të ngrihej në majat më të larta të hierarkisë kishtare dhe do të linte gjurmë të pashlyeshme në historinë e kohës së vet. Por madhështia e Papa Albanit XI nuk qëndron vetëm në postin që mbajti apo në ndikimin që pati. Ajo që e bën këtë figurë të veçantë dhe të paharrueshme është amaneti i tij me një frazë të thjeshtë, por me një peshë të jashtëzakonshme shpirtërore dhe kombëtare: “Mbi varr më shkruani që jam shqiptar…”
Kjo frazë epike nuk është thjeshtë një dëshirë personale, por është një deklaratë identiteti, një akt vetëdijeje dhe një testament që sfidon kohën. Në një epokë kur pushteti, fama dhe pozita mund ta shkëpusnin njeriun nga rrënjët e tij, Papa Albani XI zgjodhi të bëjë të kundërtën: ta shpallë me krenari përkatësinë e tij shqiptare.
Në këtë fjali epike përmblidhet një filozofi e tërë: se identiteti nuk është vetëm një fakt i lindjes, por një zgjedhje që duhet mbrojtur dhe jetuar. Ai nuk kërkoi që mbi varrin e tij të shkruheshin titujt e lartë apo arritjet e shumta; ai kërkoi vetëm një gjë – të mos harrohej se nga vinte. Ky është një mesazh që tejkalon kohën dhe hapësirën. Është një thirrje për çdo njeri, e veçanërisht për çdo shqiptar, që të mos e humbasë lidhjen me rrënjët e veta, pavarësisht se ku jeton apo çfarë arrin në jetë. Por Papa Albani XI nuk mbeti vetëm në simbolikë. Ai la pas edhe vepra konkrete, që patën ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e shqiptarëve.
Një ndër momentet më të rëndësishme të veprimtarisë së tij është Kuvendi i Arbrit, i thirrur më 14–15 janar 1703. Ky kuvend përbën një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë fetare dhe kulturore të shqiptarëve. Në një kohë të vështirë për identitetin kombëtar dhe fetar, Kuvendi i Arbrit shërbeu si një pikë kthesë. Në të u morën vendime të rëndësishme për organizimin e jetës kishtare, për ruajtjen e besimit dhe për mbrojtjen e traditave. Por mbi të gjitha, ai ndikoi në forcimin e vetëdijes kombëtare. Pra, pikërisht ishin klerikët katolikë shqiptarë që, të frymëzuar nga kjo lëvizje, filluan të përdornin më gjerësisht gjuhën shqipe në shkrim, duke hedhur themelet e para të letërsisë sonë. Në këtë kuptim, Kuvendi i Arbrit nuk ishte vetëm një ngjarje fetare, por edhe një moment i rëndësishëm kulturor dhe kombëtar.
Figura e Papa Albanit XI ka tërhequr vëmendjen edhe të studiuesve dhe autorëve vendor dhe të huaj. Në shumë studime dhe shkrime historike, prejardhja e tij shqiptare është pranuar dhe theksuar si një element i rëndësishëm i identitetit të tij. Kjo dëshmon se rrënjët shqiptare të kësaj figure nuk janë vetëm një pretendim, por një fakt i njohur dhe i respektuar.
Një tjetër moment që e risjell në vëmendje këtë figurë është vizita e Shën Papa Gjon Palit II në Shqipëri, më 25 prill 1993. Gjatë qëndrimit të tij në Shkodër, ai përmendi disa herë emrin e Papa Klementit XI Albani, duke theksuar lidhjet historike dhe shpirtërore ndërmjet Vatikanit dhe shqiptarëve. Ky ishte një vlerësim i rëndësishëm që e riktheu figurën e Papa Albanit në ndërgjegjen publike shqiptare. Megjithatë, pavarësisht këtyre dëshmive dhe vlerësimeve, mbetet një pyetje që kërkon përgjigje: Sa e njohim ne sot këtë figurë? Dhe a i japim vendin që meriton në historinë tonë kombëtare? Mosnjohja apo harresa e figurave të tilla përbën një nga sfidat më të mëdha të një shoqërie. Një popull që nuk njeh historinë e vet rrezikon të humbasë orientimin dhe identitetin e tij. Ndërsa një popull që i njeh dhe i vlerëson figurat e veta, ndërton mbi to të ardhmen.
Prandaj, përkujtimi i Papa Albanit XI nuk është vetëm një akt nderimi, por një akt përgjegjësie. Është një thirrje për të rikthyer në vëmendje figurat që kanë ndërtuar historinë tonë dhe për t’i integruar ato në ndërgjegjen tonë kolektive. Sepse amaneti i tij nuk është vetëm për një varr në Romë, por është për çdo shqiptar, kudo që ndodhet. Pikërisht është për çdo njeri që jeton mes dy botëve – asaj të origjinës dhe asaj të realizimit.
Për çdo njeri që, në një moment të jetës, ndalet dhe pyet veten: kush jam unë dhe nga vij? Dhe ndoshta përgjigjja nuk ka nevojë për shumë fjalë. Mjafton një fjali. Një fjali që sfidon kohën, që i reziston harresës dhe që bëhet zë i përjetshëm i identitetit: “Mbi varr më shkruani që jam shqiptar…” Në këtë fjali monumentale, Papa Albani XI nuk flet vetëm për veten. Ai flet për një popull të tërë.
Dhe kështu, në rrjedhën e shekujve, fjala e tij përjetësisht do të mbetet një thirrje e gjallë dhe një betim i pashuar, që i kujton çdo shqiptari se rrënja nuk harrohet kurrë dhe se identiteti është një dritë që, sado të fryjnë erërat e kohës, nuk shuhet kurrë.







