Ballina Kulturë 4 kryevepra letrare që të bëjnë ta urresh protagonistin në fund

4 kryevepra letrare që të bëjnë ta urresh protagonistin në fund

83
0

Shumë nga protagonistët më të papëlqyeshëm të letërsisë botërore janë të tillë që në fillim dhe mbeten të tillë deri në fund. Që në faqet e para të “Portreti i Dorian Greit” të Oskar Uajldit, bëhet e qartë se Dorian Grei është një narcist që do të bëjë gjithçka për të ushqyer egon e tij tashmë të shëmtuar. E njëjta gjë vlen për Humbert Humbertin nga “Lolita” e Vladimir Nabokovit, një pedofil me gjuhë të ëmbël që shpik justifikime për veprimet e tij të pajustifikueshme.

Por ekziston një lloj tjetër, po aq interesant, i protagonistit të papëlqyeshëm: ai që në fillim të fiton simpatinë, por bëhet gjithnjë e më i urryer ndërsa historia zhvillohet. Ky tip nuk duhet ngatërruar me heroin tragjik (si Edipi apo Hamleti), njerëz të mirë që rrëzohen nga fati, apo me antiheroin (si Xhek Sparroun apo Batmanin), figura moralisht të paqarta, por që ende kanë cilësi heroike. Le ta quajmë këtë tip “tradhtar”: një protagonist që në fillim fiton mbështetjen tonë, por më pas na çon në një rrugë të errët që nuk duam ta ndjekim. Më poshtë janë katër shembuj.

Njeriu i bodrumit nga “Shënime nga bodrumi”

Fjodor Dostojevski kishte një aftësi të veçantë për t’i çuar personazhet në udhëtime transformuese, por pak prej këtyre “tradhtarëve” janë aq bindës sa Njeriu i bodrumit, protagonisti i novelës së tij të vitit 1864. E shkruar si përgjigje ndaj letërsisë utopike që po pushtonte inteligjencën ruse, libri na pasqyron anët më të shëmtuara të natyrës njerëzore.

Njeriu i bodrumit është i shkatërruar nga kundërshtitë. Ai është krenar, por thellësisht i pasigurt; urren kolegët, por kërkon respektin e tyre; është i bindur për pavleftësinë e vet, por njëkohësisht i zemëruar që bota nuk e njeh potencialin e tij. Në fillim, kjo e bën disi simpatik, është e lehtë të gjesh veten tek ai kur analizon çdo detaj të një bisede apo rri në një festë ku njëkohësisht do dhe s’do të jetë. Por ndërsa historia ecën, sjellja e tij kalon nga qesharake në patetike e më pas në të neveritshme. Ai i thotë një prostitute të re se mund të shkojë të jetojë me të, por kur ajo vërtet shfaqet te dera, ai e përzë.

Raczi i “Lumenjtë e Babilonisë”

Romani sllovak i vitit 1991 të Peter Pishťanekut ndjek historinë e Raczit, një ish-ushtar i ri dhe mendjelehtë që largohet nga fshati i tij i varfër për të punuar si fokist hoteli në Bratislavë. Ai e pranon punën me hezitim, vetëm për të fituar para që të martohet me dashurinë e fëmijërisë.

Por sapo mbërrin në qytet, ambiciet e tij ndryshojnë plotësisht.

Raczi fillon të shijojë paranë dhe pushtetin, duke u bërë një shef tiran i një rrjeti të paligjshëm këmbimi valutor. Ai braktis të fejuarën, shfrytëzon një balerinë dhe mban të mbyllur dy emigrantë në dhomën e kaldajës së hotelit. Në fund të romanit, tashmë një nga bosët më të fuqishëm mafiozë në Sllovaki, ai synon postin e kryetarit të Bashkisë së Bratislavës. Mesazhi i autorit është i qartë: qyteti nuk e korruptoi Raczin, por thjesht i zbuloi karakterin e tij të vërtetë. Raczi shpesh është interpretuar si një paralelizëm me ish-kryeministrin Vladimír Meçiar.

Eugjen de Rastinjaku i “Xha Gorioi”

Rastinjaku është një figurë e përsëritur në serinë e ndërlidhur të Komedisë njerëzore të të Honore de Balzakut. Te “Xha Gorioi”, ai mbërrin në Paris si një fisnik i varfër, por me parime, i vendosur të ngjitet në shkallët e shoqërisë. Ai refuzon me dinjitet ndihmën e mashtruesit Votrin, duke zgjedhur të mbështetet te sharmi i tij.

Por ngritja shoqërore në këtë botë të pamëshirshme ka një çmim. Rastinjaku komprometon parimet duke hyrë në një lidhje me Delfinën, vajzën e Gorioit, një tregtar i suksesshëm që u varfërua për fëmijët e tij mosmirënjohës. Kur Gorioi po vdes dhe braktiset nga familja, është Rastinjaku ai që i qëndron pranë dhe merr pjesë në funeral. Por fundi është pesimist: ai largohet nga varri i plakut dhe kthehet në qytet, në krahët e Delfinës, duke treguar dorëzimin e tij të plotë ndaj një bote të korruptuar.

Pol Atreidesi i “Duna”

Epopeja fantastiko-shkencore e Frenk Herbertit të bën të mendosh se Pol Atreidesi është një hero i zakonshëm, një iluzion që përforcohet edhe nga interpretimi i Timote Shalamesë në filmin e fundit. Udhëtimi i Polit ndjek modelin klasik të heroit, por ai nuk është një shpëtimtar.

Herberti zbulon se Bene Geseriti, një urdhër i fshehtë grash me fuqi psikike, kishin përgatitur prej kohësh popullin Fremen të priste një shpëtimtar, dhe Poli përfshihet në një lëvizje fetare që nuk mund ta kontrollojë më.

Si perandor i galaktikës, atij i thuhet se duhet të ndjekë “Rrugën e Artë” për të siguruar mbijetesën e njerëzimit, megjithëse Herberti nuk e shpjegon plotësisht se nga çfarë e shpëton njerëzimin dhe lë të kuptohet se ekzistojnë alternativa më pak shkatërruese. Ngjitja e Polit në fron nuk është një fund përralle. Është një alegori për mënyrën se si mbretër dhe profetë gjatë historisë kanë përdorur fenë për të justifikuar veprimet e tyre,duke e kthyer heroizmin në diçka shumë më të errët.