Një burrë është arrestuar në qytetin brazilian të Sao Paulos, nën dyshimin për vjedhjen e një makine me një foshnjë dy muajshe brenda saj.
Nëna të enjten e kishte lënë foshnjën për pak kohë në makinë, të parkuar përpara një qendre aktivitetesh për fëmijë pas shkolle, ndërsa po merrte vajzën e saj shtatëvjeçare.
Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë nënën duke dalë nga makina dhe duke qëndruar përpara saj, ndërsa vajza e saj del nga dyert qendrore. Disa sekonda më vonë, një burrë hipën në anën e shoferit dhe largohet me shpejtësi, duke marrë me vete edhe foshnjën.
Foshnja u shpëtua nga policia pa lëndime rreth 2.7 km larg qendrës, ndërsa autori u arrestua.
Policia tha se kishte njoftuar të gjitha automjetet e patrullës aty pranë pasi kishte marrë telefonatën e nënës. Pasi vuri re se po ndiqej nga policia, i dyshuari u përpoq të largohej me makinë, por nuk mundi të shkonte larg për shkak të trafikut.
Pastaj ai doli nga makina, duke e lënë foshnjën brenda dhe u përpoq të largohej në këmbë, por rrëshqiti dhe ra pasi toka ishte lagur nga shiu atë mëngjes.
Policia shtoi se ai përsëri u përpoq të largohej, por u ndalua nga anëtarë të publikut të cilët e mbajtën të shtrirë derisa oficerët e prangosën.
Si foshnja ashtu edhe i dyshuari u dërguan në spital, ndërsa fëmija iu kthye nënës së tij pa lëndime. Burri pësoi disa lëndime, por më vonë u mor në paraburgim.







