Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka komentuar edhe shkarkimin e dy këshilltarëve demokratë në bashkinë e Durrësit, të cilët ishin edhe mbështetës të Ervin Salianjit. Në konferencë me gazetarët, ai tha se ata kanë punuar për Partinë Socialiste dhe se sipas tij ‘kush punon për kundërshtarin ka dalë vetë jashtë partisë’.
Berisha hodhi dyshime se këshilltarët shkonin njëherë në 6 muaj vetëm për të marrë rrogën, por kjo sipas tij bën që ata të kenë tradhtuar votuesit e tyre.
“Nëse punon për kandidatët e PS, ti ke mbajtur një qëndrim që ke nxjerrë veten jashtë partie.
Nëse ti je në këshill dhe shkon njëherë në 6 muaj dhe shkon për të marrë ato lekët, ti tradhton dhe shkelmon ata që të kanë votuar.
Nëse ti je në këshill dhe përdor pushtetin për të asfaltuar apo përfituar favore personale nuk është ky se të kanë votuar qytetarët e Durrësit, por të kanë votuar për të mbrojtur interesat e tyre jo për të zgjidhur çështje personale”, tha Sali Berisha.







