Një person ka humbur jetën dhe dy efektivë policie janë plagosur pas një incidenti me armë zjarri gjatë natës në fshatin Overasselt, në provincën holandeze të Gelderlandit.
Policia u thirr rreth orës 04:20 të mëngjesit, pas raportimeve për të shtëna me armë në rrugën Ewijkseweg. Kur mbërritën në vendngjarje, efektivët gjetën një person të pajetë, ndërsa dy prej tyre u plagosën gjatë incidentit. Ata u dërguan në spital dhe, sipas autoriteteve, ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Policia ka kryer disa arrestime gjatë natës, ndërsa njësite speciale të DSI-së vazhduan kërkimet në zonë edhe gjatë mëngjesit. Gjatë operacionit u dëgjuan edhe të shtëna paralajmëruese, ndërsa disa rrugë u mbyllën për sigurinë e banorëve.
Autoritetet ende nuk kanë bërë të ditur identitetin e viktimës, shkakun e vdekjes apo numrin e saktë të personave të arrestuar. Kryetari i komunës, Joerie Minses, e dënoi ashpër ngjarjen, duke e cilësuar dhunën “krejtësisht të papranueshme” dhe “përtej çdo kufiri”. Hetimet vijojnë për të zbardhur se çfarë ndodhi dhe motivin e sulmit.







