Ballina Dossier Një letër nga ferri i Burrelit për Enver Hoxhën – dhe urdhri...

Një letër nga ferri i Burrelit për Enver Hoxhën – dhe urdhri brutal i Hysni Kapos për djalin e Isuf Luzajt

104
0

Në arkivat e diktaturës shqiptare ruhen shumë letra që nuk kishin për qëllim vetëm të kërkonin drejtësi, por shpesh ishin një përpjekje e dëshpëruar për të mbijetuar. Një prej tyre është letra e Kujtim Luzajt, djalit të intelektualit dhe njërit prej figurave kryesore të Ballit Kombëtar, Isuf Luzaj, i cili pas Luftës së Dytë Botërore u detyrua të largohej nga Shqipëria dhe jetoi në Shtetet e Bashkuara.

Ndërsa i ati jetonte në mërgim, djali i tij vuante dënimin në burgun famëkeq të Burrelit.

Në vitin 1967, pas shtatë vitesh burg për akuzën e rëndë të “tradhtisë ndaj atdheut”, Kujtim Luzaj i shkruan një letër Enver Hoxhës. Në të, ai nuk kërkon falje politike dhe as rehabilitim. Kërkesa e tij është shumë më e thjeshtë: të largohet nga burgu i Burrelit dhe të transferohet në një kamp pune.

Ai përshkruan në letër keqtrajtimet, fyerjet dhe presionin, duke përmendur edhe emrin e funksionarit të regjimit Nevzat Haznedari, për të cilin ankohet se kishte ndikuar në përndjekjen e familjes së tij dhe në dëbimin e tyre nga Vlora drejt një fshati.

Letra është një përzierje ankese, dëshpërimi dhe shprese se ndoshta fjala e tij do të dëgjohej në majën e piramidës së pushtetit.

Por dokumentet e arkivit tregojnë se ajo që mori si përgjigje nuk ishte as mëshirë dhe as drejtësi.

Në margjinat e dokumentit, në mënyrë të shkurtër dhe brutale, Hysni Kapo, një nga figurat më të fuqishme të regjimit komunist, i përcjell Ministrisë së Brendshme një urdhër që sot tingëllon tronditës:

“Të birit të tradhtarit Isuf Luzaj t’ia vini këmbët në një këpucë.”

Një fjali e shkurtër që përkthente në gjuhën e pushtetit një mesazh të qartë: djali duhet të vuante jo vetëm për veten, por edhe për biografinë e të atit.

Në Shqipërinë e diktaturës, faji ishte familjar.

Dhe për shumë të rinj si Kujtim Luzaj, dënimi nuk ishte vetëm burgu. Ishte hija e përjetshme e një mbiemri që regjimi nuk e falte./vna