Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić, është bërë udhëheqësi i parë i huaj që është përplasur publikisht me kryeministrin e sapozgjedhur të Hungarisë, Péter Magyar, vetëm një ditë pas zgjedhjeve parlamentare në këtë vend.
Partia Tisza e Magyarit arriti një fitore dërrmuese në zgjedhje, duke i dhënë fund sundimit 16-vjeçar të Viktor Orbán, i cili gjatë gjithë kësaj periudhe kishte mbajtur marrëdhënie të ngushta politike me Vuçiçin.
Në një intervistë për transmetuesin shtetëror serb, Vuçiç hodhi poshtë deklaratat e mëparshme të Magyarit, duke i cilësuar ato si “budallallëqe”. Reagimi i tij erdhi pasi lideri hungarez kishte sugjeruar se kishte njohuri për prapaskenat e një aleance politike që përfshin Orbánin, kryeministrin sllovak Robert Fico dhe vetë Vuçiçin.
Gjatë një konference ndërkombëtare për shtyp, Magyar deklaroi se ishte në dijeni të zhvillimeve politike në Serbi dhe të marrëdhënieve mes liderëve rajonalë, duke shtuar se kishte edhe një ide se “kush qëndron pas këtyre miqësive të mëdha”.
Vuçiç reagoi ashpër ndaj këtyre pretendimeve, duke sfiduar publikisht Magyarin që të japë përgjigje konkrete. Ai la të kuptohet se deklaratat mund të aludonin për përfshirjen e Vladimir Putin, por i cilësoi ato si të papërgjegjshme.
Presidenti serb shtoi se, nëse nuk do të tregonte kujdes për marrëdhëniet me Hungarinë dhe komunitetin hungarez në Serbi, do ta kishte dënuar edhe më ashpër deklaratën e kryeministrit të ri hungarez.







