Ballina Aktualitet Kushtetuesja zbardh vendimin: Magjistratët përfitojnë rritje page si funksionarët e tjerë…

Kushtetuesja zbardh vendimin: Magjistratët përfitojnë rritje page si funksionarët e tjerë…

127
0

Gjykata Kushtetuese ka zbardhur vendimin e marrë dy muaj më parë për pranimin pjesërisht të kërkesës së Unionit të Gjyqtarëve lidhur me përllogaritjen e rritjes së pagës së magjistratëve, duke ju dhënë të drejtë që të përfitojnë rritje si të gjithë funksionarët e tjerë.

Unioni i Gjyqtarëve dhe më vonë Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve kërkuan që të shpalleshin antikushtetuese nene të ligjit që e lidhin pagën e magjistratëve me atë të Presidentit të Republikës, duke kërkuar që të përllogariteshin bazuar në referencat për pagat e administratës.

Konkretisht, është vendosur për shfuqizimin e fjalisë së parë të shkronjës “a” të nenit 1, si dhe të pikës 2 të nenit 2 të ligjit nr. 33/2023, datë 25.05.2023 “Për një ndryshim në ligjin 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

Gjithashtu, Gjykata Kushtetuese ka detyruar Kuvendin që të miratojë ndryshimet ligjore të nevojshme, sipas arsyetimit të këtij vendimi, brenda datës 31.07.2026, duke u shprehur qartë se efektet e shfuqizimit sa më lart hyjnë në fuqi ditën e hyrjes në fuqi të ndryshimeve ligjore dhe, në çdo rast, jo më vonë se data 31.07.2026.

Ajo e ka lënë në dorë të Kuvendit të Shqipërisë përzgjedhjen e referencës ku do të bazohet përcaktimi i pagës për magjistratët, por vendosi që gjyqtarët duhet të përfitojnë të njëjtën rritje si funksionarët e tjerë.

Sipas Gjykatës Kushtetuese, paga është një nga garancitë thelbësore për pavarësinë e gjyqtarëve dhe se duhet t’i përgjigjet rëndësisë së funksioneve që ata kryejnë.

Gjykata Kushtetuese vlerëson se ligjvënësi duhet të ndalojë uljen e drejtëpërdrejtë ose të fshehur të pagave, si dhe që paga të jetë e mjaftueshme dhe në përpjesëtim me dinjitetin dhe rëndësinë e funksionit. Po ashtu, është vlerësuar se duhet të garantohet indeksimi i pagës për shkak të inflacionit me qëllim që ajo të ruajë vlerën reale, sipas kostos së jetesës.