Ballina Politika “Call Center-at mashtrues dëmtojnë imazhin e vendit”, Braçe: Aktivitet i hershëm në...

“Call Center-at mashtrues dëmtojnë imazhin e vendit”, Braçe: Aktivitet i hershëm në Shqipëri! Kam kërkuar shpjegime nga autoritetet

92
0

Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka reaguar nga foltorja e Kuvendit lidhur me hetimet ndaj aktiviteteve të Call Center-ave mashtrues në Shqipëri, pas goditjes së fundit të një rrjeti disa ditë më parë nga autoritetet.

Në fjalën e tij, Braçe theksoi se ky fenomen nuk është i ri, duke u shprehur: “Aktiviteti i Call Center-ave apo Forex këtu është aktivitet i hershëm. Pikërisht se ka qenë i tillë jam detyruar në Komisionin e Ekonomisë të kërkoj shpjegime nga autoritetet dhe mbi të gjitha nga AMF, autoriteti i ndalimit të pastrimit të parave dhe Policia e Shtetit.”

Ai bëri të ditur se vetëm dy muaj më parë ka kërkuar një angazhim më të gjerë institucional: “Kam kërkuar të zhvilloj një seancë të përbashkët përfshirë AMF, Tatimet, Policinë e Shtetit me sektorin e Krimit Kibernetik, për të goditur këtë fenomen në territorin e Shqipërisë.”

Sipas deputetit socialist, aktiviteti ka qenë në vëmendje të institucioneve shqiptare, por ai theksoi qartë se përgjegjësia nuk është shtetërore: “E them me plot gojë se ky nuk është krim shtetëror, por i personave individualë që merren me këtë mashtrim të qytetarëve evropianë nga territori i Shqipërisë.”

Braçe kërkoi një reagim më të fortë nga agjencitë ligjzbatuese, duke nënvizuar ndikimin negativ që këto aktivitete kanë në imazhin e vendit: “Ajo që duhet kërkuar me forcë është që agjencitë ligjzbatuese të merren me këtë fenomen dhe ta godasin, sepse turpëron dhe shkatërron imazhin e Shqipërisë në raport me qytetarët e BE, që janë treguar bujarë që nga viti 1991 me këtë vend.”

Në fund, ai kritikoi edhe mënyrën se si trajtohen publikisht këto ngjarje: “Mënyra si tregohen ngjarjet këtu është edhe abuzive, histori e denjë për Hollivudin që ka bërë filma për këtë fenomen. Unë nuk kam ndërmend të merrem me filma. Në këtë sallë do merrem me faktet nga fillimi në fund.”