Ballina Politika “Fjala është masakruar”/ Dervishi sulmon mazhorancën: Po shkelet opozita

“Fjala është masakruar”/ Dervishi sulmon mazhorancën: Po shkelet opozita

80
0

Përkundër deklaratave të politikanit Petro Koçi i cili akuzoi opozitën për mungesë debati dhe tensione në parlament, gazetari Lutfi Dervishi fajëson mazhorancën për arrogancë, e cila sipas tij po i mohon të drejtat opozitës. Në nje emision televiziv ai tha se opozitës po i mohohet edhe fjala.

“Çështja e burimit të tensionit. Cili është interesi i opozitës që të ketë tension? Unë mendoj që është qëndrimi kokëfortë e arrogant i shumicës. Kur ka ardhur Partia Socialiste në pushtet ka thënë fjala jonë është puna, puna juaj është fjala. I ka thënë opozitës që ju keni të drejtën e fjalës. Tani edhe këtë të drejtë këtë fjale e kanë masakruar. Domethënë një opozitë që s’i miratohet asnjë nismë ligjore. Një opozitë që ndërton institucione të pavarur vetëm me kandidatë të shumicës, një opozite që i mohohen interpelancat parlamentare, një opozite që kërkon komision hetimor dhe i mohohen pra nuk ka absolutisht asnjë të drejtë brenda hapësirës kushtetuese, për më tepër është një shumicë e cila ndryshon dhe rregullon në mënyrë të njëanshme. Le të shkojmë tek teprimi i gjuhës apo i veprimeve. Po ka deputetë që duhen ndëshkuar; tension i lartë, debate, por çështja është që këtu kë standarde të dyfishta, dënohen të gjithë deputetët e opozitës dhe kur ka raste flagrante nga deputet i shumicës veprohet ndryshe. Pra kemi një parlament të zhbalancuar dhe të mësuar keq në 2019-n pa opozitë ose me një opozitë qesharake. Dhe është inercia që këta na pengojnë. Madje edhe retorika e fundit është që këta po na pengojnë për në BE. Pra, një opozitë që s’imponohet asgjë në kuptimin e numrave” theksoi ai.

Dervishi theksoi se interesi i mazhorancës ka qenë që SPAK-u të mbyllte gojën dhe të kishte një konsensus me opozitën.

“Sigurisht që opozita duhet të ketë qasje tjetër, duhet të bëjë një dallim shumë të madh në retorikë, në mënyrën e ngritjes së çështjeve, por duhet kuptuar që ke përballë një pushtet arrogant dhe është arrogant edhe në kurriz të vetes, sepse interesi i shumicës këtë radhë ka qenë që SPAK-u këto dy-tre vite të mbyllte një sy, të mbyllte dhe një vesh, ndoshta të mbyllte dhe gojën, të përmbante veten dhe të kishte një konsensus të madh me opozitën që këto dy vite për hir të një shansi historik që kemi, që s’do ta kemi gjithmonë, të avanconin me reforma, të avanconin me detyrat e Brukselit. Përkundrazi është gjithmonë kjo historia e tensionit”.

Sipas tij burimi i tensioneve nuk lidhet vetëm me sjelljen e opozitës, por edhe me qasjen e shumicës, që sipas tij nuk respekton rregullat e lojës dhe standardet e barabarta.

“Shiko njerëzit që marrin fjalën nga shumica me çfarë agjende janë dhe për çfarë janë zgjedhur dhe për çfarë shkojnë aty. Është pak më kompleks sesa të thjesht themi e ka fajin ky apo ka fajin ai. Burimi i tensionit është kur ti je në një lojë dhe kërkon të ndryshosh rregullat e lojës. Për më tepër nuk respekton rregullat e lojës”.