Ballina Ekonomia Miliarda euro për transportin, cilat janë projektet kryesore deri në 2030

Miliarda euro për transportin, cilat janë projektet kryesore deri në 2030

80
0

Shqipëria pritet të investojë miliarda euro deri në 2030 me synim forcimin e lidhjes rajonale dhe integrimin në Rrjetin Trans-Evropian të Transportit (TEN-T).

Rrjeti TEN-T përbën shtyllën kryesore të integrimit të transportit evropian, i cili përfshin rrugët, hekurudhat, portet, aeroportet dhe terminalet multimodale, i ndërtuar mbi standarde të përbashkëta teknike dhe funksionale për të garantuar ndërveprueshmëri, cilësi dhe lëvizshmëri pa ndërprerje në të gjithë Bashkimin Evropian.

Sipas Planit të Veprimit të Strategjisë së Transportit 2030, prioriteti strategjik 2 ka në qendër pikërisht  zhvillimin e korridoreve kryesore evropiane, ku vetëm ndërtimi i segmenteve të Korridorit Adriatiko-Jonian përfshin projekte me kosto shumë të lartë.

Segmenti Murrican–Lezhë (Balldren) parashikohet me rreth 469.4 milionë euro, ndërsa segmente të tjera si Milot–Balldren (364 milionë euro), Kashar–Pezë–Lekaj (465.8 milionë euro) dhe Lekaj–Konjat–Fier (320 milionë euro) e çojnë këtë korridor në një nga investimet më të kushtueshme në vend. Projekte të tjera si Poçem–Memaliaj (597 milionë euro) dhe Memaliaj–Ura e Subashit (260 milionë euro) konfirmojnë shkallën e lartë të investimeve në këtë aks strategjik.

Paralelisht, zhvillimi i Korridorit VIII përfshin ndërhyrje të rëndësishme rrugore dhe hekurudhore. Në infrastrukturën rrugore, segmente si Elbasan–Lekaj (360 milionë euro) dhe Elbasan–Librazhd–Qafë Thanë (280 milionë euro) janë ndër projektet më të mëdha, ndërsa bypass-e si ai i Tiranës (223 milionë euro) dhe Elbasanit (264.5 milionë euro) synojnë të lehtësojnë trafikun dhe të rrisin efikasitetin e rrjetit.

Në sektorin hekurudhor, Strategjia parashikon investime të konsiderueshme për rikthimin e këtij transporti në një rol kyç. Projekti Durrës–Prishtinë parashikohet me rreth 750 milionë euro, ndërsa rehabilitimi i linjës Rrogozhinë–Pogradec–kufi me Maqedoninë e Veriut arrin në 541 milionë euro. Projekte të tjera përfshijnë linjën Pogradec–Korçë–kufi me Greqinë (250 milionë euro) dhe lidhjen hekurudhore me aeroportin e Vlorës (220 milionë euro). Ndërkohë, investimet në linjat ekzistuese si Durrës–Rrogozhinë (114.5 milionë euro) dhe zgjerimi i terminaleve në Tiranë plotësojnë këtë paketë.

Edhe sektori portual përfshihet në këtë valë investimesh, ku Faza I e Porto Romanos parashikohet me rreth 390 milionë euro, ndërsa zhvillimi i portit të integruar të Vlorës dhe projekte të tjera mbështetëse synojnë të rrisin kapacitetet logjistike dhe lidhjen me rrjetin TEN-T.

Në infrastrukturën rrugore kombëtare, përveç korridoreve kryesore, janë përfshirë edhe projekte prioritare si zgjerimi i autostradës Tiranë–Durrës (244 milionë euro), aktualisht në proces, si dhe segmente si Milot–Rrëshen (60 milionë euro) dhe Fier–Frataj (42 milionë euro).

Në total, vetëm projektet madhore të listuara në këtë plan veprimi arrijnë afërsisht 7.5 miliardë euro dhe përbëjnë pjesën kryesore të investimeve prej rreth 7.9 miliardë euro të parashikuara për gjithë strategjinë./ekofin.al