Ballina Kulturë Nga reality show te rafti i librarisë, ‘efekti Moza’ rikthen shitjet në...

Nga reality show te rafti i librarisë, ‘efekti Moza’ rikthen shitjet në Tiranë

64
0

Në tregun shqiptar të librit, ku shitjet zakonisht varen nga panairet, sezonet festive apo titujt bestseller të autorëve të njohur, mjafton një zhvendosje e papritur e vëmendjes publike për të ndryshuar sjelljen e blerësit.

Kjo po ndodh këto javë me titujt e autores Mimoza Ahmeti, për të cilët libraritë kryesore në Tiranë raportojnë një rritje të kërkesës, pas rikthimit të autores në qendër të bisedës publike.

Shkrimtarja është pjesë e reality show Ferma VIP, që prej muajit të kaluar, ku me stilin e saj spontan, ironinë e mprehtë dhe batutat, është bërë virale në rrjetet sociale, përtej audiencës tradicionale të letërsisë.

Ky interes po reflektohet tashmë edhe në sjelljen e konsumatorit në tregun e librit. Në librarinë Adrion, shitësit thonë se nuk bëhet fjalë për një shpërthim të madh shitjesh, por për një lëvizje të qartë të kërkesës.

“Kërkesa për librat e saj ka qenë më e lartë javët ë fundit, aq sa i nxorëm të dukshme prej rafteve të librave, sepse njerëzit nisën të pyesnin çdo ditë”, shprehen ata, duke përshkruar një fenomen tipik të tregut shqiptar të librit, ku vëmendja publike shpesh mjafton për të rikthyer në qarkullim tituj që kishin mbetur në heshtje.

E njëjta tendencë konfirmohet edhe nga libraria Leximtari. Albert Gjoka thotë për Monitor se “ka një rritje të lehtë dy javët e fundit”, një sinjal që interesi nuk është thjesht kuriozitet televiziv, por po përkthehet në blerje konkrete, sado modeste në volum.

Ndërkohe në rrjetin social Tiktok, përpos videove me momentet e saj brenda reality show-t, kanë shpërthyer video me hashtag “Mimoza Ahmeti libra”, ku edhe librari, edhe individë, po risjellin në vëmendje librat e saj.

Ky nuk është fenomen i ri për vendin tonë. Precedenti më i freskët mbetet efekti që krijoi Luis Ejlli, pjesëmarrës në reality show Big Brother VIP disa vite më parë, kur popullariteti i tij nuk ndikoi vetëm audiencat televizive, por nxiti menjëherë sektorë të tërë retail. Nga veshjet dhe aksesorët që imitoheshin nga publiku, te kërkesa për produkte, evente dhe bashkëpunime tregtare që mbanin emrin ose estetikën e tij, tregu reagoi me shpejtësi ndaj trendit të momentit.

Fenomeni nuk është unik për Shqipërinë. Në tregjet ndërkombëtare, televizioni dhe trendet e momentit kanë prodhuar shpesh efekte të ngjashme në shitjet e librave. Në vitet e fundit, i njëjti mekanizëm është parë me serialet streaming, ku ekranizime rikthen në qendër të tregut libra që kishin vite në qarkullim. Rasti i fundit ishte seriali i ri në Netflix “Muzeu i Pafajësisë” që riktheu vëmendjen botërore drejt librit me të njëjtin titull të autorit Orhan Pamuk, përfshirë edhe në Shqipëri./Monitor