Ballina Editorial Demokracia “që funksionon”

Demokracia “që funksionon”

156
0

Nga Klevis Elezi 

Në vendin tonë, demokracia nuk është thjesht një sistem por është një spektakël. Një teatër ku rolet janë të ndara qartë: disa protestojnë, disa kërcënojnë, dhe pjesa tjetër pret të shohë se kush do të fitojë këtë akt të radhës.

Sot, shoferët kërcënohen sepse kërkojnë të drejtën e tyre për të protestuar. Dhe ne duhet të besojmë se kjo është shenjë se demokracia funksionon. Sepse, sipas këtij standardi të ri, sa më shumë frikë të ketë, aq më “e fortë” është demokracia.

Çfarë ironie tragjike.

Në një demokraci normale, qytetarët dalin në protestë pa u ndjerë të rrezikuar. Në një demokraci të sëmurë, ata peshojnë çdo hap mes bukës së gojës dhe dinjitetit. Dhe kur kërcënimi bëhet mjet i përditshëm, atëherë nuk kemi më shtet që dëgjon por pushtet që imponon.

Sot nuk është në provë vetëm një grup shoferësh. Sot është në provë vetë ideja e lirisë. Sepse nëse një punëtor nuk mund të ngrejë zërin pa u kërcënuar, atëherë heshtja nuk është zgjedhje është detyrim.

Dhe kjo, natyrisht, quhet “demokraci që funksionon”.

Një demokraci ku fjala e lirë është e lirë… për aq kohë sa nuk shqetëson askënd.

Një demokraci ku protesta lejohet… për aq kohë sa nuk bëhet realisht protestë.