Ballina Aktualitet Dëshmia e Daniel Shimës në SPAK: Karaçanaj orientonte tenderat e AKSHI-t për...

Dëshmia e Daniel Shimës në SPAK: Karaçanaj orientonte tenderat e AKSHI-t për kompanitë e Ermal Beqirit

109
0

Ish-zv.drejtori i Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit Daniel Shima, që disa muaj më parë u zhduk në mënyrë të mistershme për 10 orë, ka shpjeguar para SPAK gjatë marrjes në pyetje skandalet që ndodhnin brenda institucionit dhe mënyrën sesi paracaktoheshin fituesit e tenderave, ndërsa procedurat e rekrutimit të punonjësve ishin fiktive, pasi emrat paracaktoheshin nga eprorja e tij Mirlinda Karçanaj dhe biznesmeni Ermal Beqiri.

Në dosjen që VNA ka lexuar Daniel Shima ka deklaruar se Mirlinda Karçanaj i ka bërë me dije se Ermal Beqiri i kishte propozuar në kohë të ndryshme që të punësonte në AKSHI persona të njohur të tij. Shima shpjegon se punësimet kanë ndodhur ndërkohë që ai ka qenë zv. drejtor, duke shpjeguar se, pavarësisht se procedura është kryer formalisht, emrat ishin vendosur paraprakisht nga Mirlinda Karçanaj dhe Ermal Beqiri, duke shpjeguar se qëllimi ka qenë qartësisht që personat e njohur të Beqirit të punësoheshin në AKSHI për arsye që të favorizonin interesat e këtij subjekti në procedurat e prokurimit në AKSHI”, thuhet në dokumenta.

Lidhur me tenderat, Shima shpjegon se gjithçka vendosej nga Karçanaj,
“Lidhur me procedurën e prokurimit për shtimin e funksionaliteteve të menaxhimit dhe raportimit të incidenteve kibernetike, Daniel Shima ka deklaruar se Karçanaj ia ka bërë me dije se në këtë procedurë do të merrte pjesë Ermal Beqiri, duke nënkuptuar se ajo kishte koordinuar me Beqiri që ai të shpallej fitues. Ai shpjegon se kjo është arsyeja që Fastech sh.p.k. nuk ka paraqitur dokumentat e plota si konkurrent, pasi në të vërtetë rezulton se i plotëson kriteret, pasi ka fituar procedura prokurimi edhe në raste të tjera.

Ai shpjegon se e gjithë kjo është bërë që të favorizohet shoqëria e Ermal Beqiri, duke shtuar se “dyshimet e tij janë se edhe shoqëria ICOM është futur në garë fiktivisht, vetëm për të rritur fiktivisht pjesëmarrjen e operatorëve ekonomikë”, theksohet në dosje.

Shima rrëfen ndër të tjera se tek procedura e prokurimit “Për mirësimi i sistemit E- Akter Karçanaj i ka thënë ka orientuar Ermal Beqiri për të fituar këtë procedurë prokurimi dhe se Beqiri do orientonte shoqërinë tjetër, Fastech sh.p.k. të Andis Papa për t’u futur në garë por me një ofertë më të lartë, që do të thotë se pjesëmarrja e kësaj shoqërie ka qenë fiktive. Daniel Shima thekson se Ermal Beqirin e njeh që nga koha kur ka punuar IT e ASHK dhe se më tej kur merrte pjesë në procedurat e prokurimit në AKSHI, duke treguar se ai i tregonte se do të shpallej fitues në këto procedura, pasi orientimet i merrte nga Mirlinda Karçanaj paraprakisht. Sipas tij edhe në realitet ashtu ndodhte. Pasi zhvilloheshin procedurat e prokurimit, duke fituar Beqiri përmes disa kompanive që ai konkuronte, duke renditur Soft & Solution, Fastech sh.p.k. dhe Horizon sh.p.k.

“Ermal Beqiri e takonte Mirlinda Karçanaj në zyrën e saj në AKSHI. Karçanaj më ka pohuar paracaktimin e fituesit të prokurimit, konkretisht të Ermal Beqirit. Një prej këtyre rasteve është prokurimi “Përmirësimi i sistemit të ASHK”, procedurë të cilën e fitoi Ermal Beqiraj përmes shoqërisë Fastech sh.p.k.”, thotë më tej Shima.

Daniel Shima, konsiderohet si dëshmitar kyç i prokurorisë për shkak të pozicionit që ka mbajtur si zv.drejtor. SPAK deklaroi në fund të 2025 se kishte zbuluar një grup kriminal brenda AKSHI-t të drejtuar nga Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri, për të cilët firmosi urdhër arrest. Të dy janë në arrati, ndërsa ish-drejtoresha e AKSHI-t Karçanaj ndodhet në arrest shtëpiak./vna