Ballina Bota Panik në ajër, avioni bën ulje emergjente pas kërcënimit për bombë

Panik në ajër, avioni bën ulje emergjente pas kërcënimit për bombë

102
0

Një fluturim i linjës United Airlines, nga Çikago për në Nju Jork, u detyrua të bënte një ulje emergjente në Pitsburg, pasi një ‘bip’ i përsëritur në kabinën e pilotit shkaktoi frikën për një bombë, duke nxitur evakuimin e aeroplanit.

 

“Businessinsider” raporton se aeroplani bëri një ulje emergjente dhe pasagjerët u evakuuan duke përdorur rrëshqitëse shpëtimi, siç shihet në një video që ka qarkulluar në internet.

Sipas raportit, rreth gjysmës së fluturimit, avioni bëri një kthesë të papritur në jug dhe ndryshoi kurs drejt Pitsburgut, e treguar kjo nga të dhënat e Flightradar24.

Në një klip audio të postuar nga LiveATC.net, një pilot mund të dëgjohet duke informuar kontrollin e trafikut ajror për incidentin.

“Kemi një problem këtu lart. Po dëgjojmë një seri bip-esh,” tha ai. “Duhet të fillojmë ta trajtojmë këtë si një bombë të mundshme.”

Piloti më pas deklaroi se bipi përsëritej çdo sekondë, sipas regjistrimit në kabinën e avionit.

Njoftimi i FBI-së

Në një deklaratë të postuar në Platformën X, zyra e FBI-së në Pitsburg tha se të gjithë pasagjerët dhe ekuipazhi “evakuuan në mënyrë të sigurt nga avioni”.

Gjithashtu vuri në dukje se agjentë specialë të FBI-së dhe teknikë të çmontimit të bombave ishin në vendngjarje dhe po koordinoheshin me autoritetet lokale.

Departamenti i Sherifit të Qarkut Allegheny tha se njësia e çaktivizimit të bombave kontrolloi avionin me ndihmën e qenve të trajnuar posaçërisht (K9s), por nuk gjeti objekte të dyshimta. Mbetet e paqartë se çfarë e shkaktoi bipin e përsëritur.

United Airlines dhe Administrata Federale e Aviacionit konfirmuan se fluturimi u devijua për shkak të një shqetësimi të mundshëm për sigurinë.

“Pasagjerët hipën në një avion tjetër me destinacion Aeroportin LaGuardia të Nju Jorkut dhe u nisën në orën 4:24 pasdite (ora lokale)”, tha United në një deklaratë.