Janë botuar në Fletore Zyrtare ndryshimet në ligjin për parqet tekonologjike, ndryshime të cilat do të hyjnë në fuqi pas 15 ditësh.
Në krahasim me ligjin bazë aktual që e koncepton parkun si një hapësirë të mirëpërcaktuar fizike ku zhvilloheshin aktivitete kërkim-zhvillimi dhe inovacioni, ligji i ri i hap rrugë modelit të përfolur virtual e digjital.
Për herë të parë, ligji lejon që aktivitetet të zhvillohen përmes infrastrukturës digjitale, të cilat i sheh si mundësi për start-up-et, profesionistët digjitalë dhe subjektet që operojnë në distancë, të cilët mund të përfitojnë në lehtësitë e modelit. Në këtë mënyrë, modeli tradicional i parkut si zonë e mbyllur fizike zgjerohet në një formë hibride, ku bashkëjetojnë aktivitetet fizike dhe ato virtuale.
Ligji gjithashtu pasuron ndjeshëm terminologjinë dhe mekanizmat që rregullojnë funksionimin e parqeve. Përkufizohen për herë të parë elementë si “datacenter”, duke reflektuar rëndësinë e infrastrukturës së të dhënave në ekonominë moderne, si dhe krijohen instrumente të rinj bashkëpunimi si marrëveshjet për shitblerjen e aksioneve dhe marrëveshjet për zhvillimin e produkteve inovative ndërmjet përdoruesve të parkut dhe enteve publike.
Gjithashtu, ligji forcon rolin e shtetit si aktor aktiv në këtë ekosistem. Institucionet publike detyrohen të shqyrtojnë brenda 15 ditëve kërkesat për leje dhe licenca të zhvilluesve apo përdoruesve të parkut. Ndërkohë, dispozita parashikon se do të përfitojnë në mënyrë preferenciale mallrat/shërbimet/krijimet/produktet e realizuara në park nga një përdorues që ka aksionar mbi 51% një ent publik apo një shoqëri të përbashkët/sipërmarrjetë përbashkët me një ent publik kundrejt një çmimi preferencial që parashikohet në marrëveshjen e bashkëpunimit për një produkt inovativ, bazuar në kontratën e modelit tip të miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave.
Për më tepër, institucionet publike mund të lidhin marrëveshje bashkëpunimi me përdoruesit për zhvillimin dhe përdorimin e produkteve inovative.
Sa i përket regjimit fiskal, qeveria ka vendosur të zgjerojë gamën e përjashtimit nga TVSH, e cila me ligjin aktual limitohet vetëm te mallrat, pajisjet dhe shërbimet e përdorura në park, të cilat shërbejnë për nxjerrjen e “produktit inovativ”;
Tashmë, do të aplikohet shkalla 0 (zero) për qind e TVSH-së, për:
- mallrat, pajisjet dhe shërbimet e përdorura në park, të cilat shërbejnë për nxjerrjen e produktit inovativ, si dhe tarifa e aplikuar nga zhvilluesi/menaxhuesi tek përdoruesi.
- produktet, shërbimet dhe zgjidhjet inovative të krijuara në park nga përdoruesit me aksionar entin publik mbi 51%, të cilat përdoren nga institucionet, entet dhe autoritetet publike për ushtrimin e funksioneve publike dhe që nuk hyjnë në qarkullim tregtar. Në këto raste, produkti inovativ trajtohet si mall apo shërbim i prodhuar për nevoja shtetërore dhe nuk konsiderohet furnizim i tatueshëm sipas legjislacionit në fuqi për TVSH-në.
- iii. produktet, shërbimet dhe zgjidhjet inovative të krijuara në park, të cilat përdoren nga subjekte jashtë parkut për të cilat legjislacioni i fushës aplikon shkallën 0 të TVSH-së apo përjashtim të saj.”
Po kështu zgjerohet edhe përjashtimi nga taksa e pasurisë. Aktualisht ligji parashikon se përjashtohen nga taksa e pasurisë së paluajtshme për një periudhë 10-vjeçare për ndërtimet e realizuara në park;
Ndërkohë, do të përjashtohen edhe zhvilluesit dhe përdoruesit në park që ofrojnë/shesin/shkëmbejnë aksione me një ent publik në këmbim të një transaksioni financiar apo në natyrë sipas kushteve dhe termave të negociuar në marrëveshjen e shitblerjes së aksioneve të një përdoruesi të parkut”.
Po kështu, me ndryshimin e ri ligjor, do të përfitojnë nga lehtësitë fiskale edhe shoqëritë e përbashkëta të krijuara ndërmjet një përdoruesi dhe një enti publik, si edhe përdoruesit të cilët kanë aksionar një ent/autoritet publik, pavarësisht kuotës së aksioneve, bashkëpunojnë me institucionet/entet/autoritetet publike në kushtet e marrëveshjes së bashkëpunimit për një produkt/shërbim inovativ bazuar në marrëveshjen tip të miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave dhe në bazë të negocimit përkatës të autorizuar nga organet vendimmarrëse sipas legjislacionit të zbatueshëm.”.
Një tjetër risi lidhet me përdorimin e të dhënave shtetërore, të cilat mund të vihen në dispozicion për zhvillimin e produkteve inovative, në kushte të përcaktuara dhe me kufizime të qarta ligjore. Paralelisht, forcohet roli i zhvilluesit të parkut, i cili mund të përfitojë nga të ardhurat e krijuara nga pronësia intelektuale për një periudhë deri në pesë vite, duke krijuar kështu stimuj shtesë për investim dhe menaxhim aktiv. /ekofin







