Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, ka shprehur kritika të forta ndaj sistemit VAR, duke vënë në pikëpyetje konsistencën e vendimeve të gjyqtarëve që nga përdorimi i tij.
Gjatë një konference në Madrid, ai theksoi se interpretimet e ndryshme të rregullave nga një ndeshje në tjetrën po krijojnë paqartësi edhe për vetë drejtuesit e futbollit. Ai u ndal veçanërisht te rregulli i dorës, duke e cilësuar si një nga çështjet më konfuze, për të cilin sipas tij “askush nuk e kupton nëse është apo jo penallti”.
Ceferin theksoi se roli kryesor duhet t’i mbetet gjyqtarit në fushë, ndërsa VAR-i duhet të ndërhyjë vetëm në raste të gabimeve të qarta dhe të dukshme. Ai kritikoi gjithashtu ndërprerjet e gjata të ndeshjeve në kampionate si në Spanjë dhe Angli, duke kërkuar që vendimet të merren më shpejt.
Në fund, ai nënvizoi se zbatimi i qëndrueshëm i rregullave nga IFAB mbetet mënyra më e mirë për të reduktuar gabimet në futboll.







