Ballina Sport Pep Guardiola në krye të Italisë, një bast që e tërheq trajnerin...

Pep Guardiola në krye të Italisë, një bast që e tërheq trajnerin katalanas

93
0

Në Spanjë e quajnë të sigurt largimin nga City. Trajneri gjithmonë ka thënë se dëshiron të drejtojë një kombëtare dhe nëse Figc e kontakton, do të dëgjojë propozimin.

“Pse jo?” – u përgjigj Pep Guardiola, kur u pyet për një aventurë të mundshme profesionale në Itali.

Trajneri i Manchester City e ka lënë derën të hapur, pasi nuk e ka fshehur asnjëherë simpatinë për Italinë.

Më 22 qershor, presidenti i ri i Federatës Italiane të Futbollit do ta ketë përparësi çështjen e trajnerit “axurr” dhe një telefonatë Guardiolës do t’ia bënte me shumë dëshirë. Premier e ul siparin më 24 maj dhe nga ajo datë çdo ditë është e mirë për të nisur sondazhet me trajnerin katalanas. Nuk ka dyshime që Pep do ta marrë në konsideratë propozimin, ndërsa mbetet të kuptohet, nëse do të plotësohen kërkesat e tij.

Guardiola ka edhe një vit kontratë me Manchester City dhe synon të fitojë titullin. Ai ka liri për të vendosur, nëse do të qëndrojë apo do të largohet nga City, por në Spanjë dhe Angli është folur shumë për lamtumirën e trajnerit në fund të sezonit.

E sigurt është se, në rast largimi nga City, trajneri katalanas do një aventurë më pak impenjative. Ai është më pak i stresuar se një vit më parë, por mund të marrë një vit sabatik. Ideja për të drejtuar një kombëtare e josh.

Objektivi i tij i parë ishte Anglia, por Thomas Tuchel ka rinovuar deri në 2028-ën. Edhe Ancelotti është drejt rinovimit me Brazilin.

Pep në fakt e ka Italinë në zemër dhe kjo dashuri mund të ndikojë në vendimin e tij. Në Itali nuk do të vinte për anën ekonomike, më shumë për pasion. Në Breshia dhe Romë është ndjerë shumë mirë. Ka drejtuar në Spanjë, Gjermani dhe Angli, mungon vetëm Italia.

Futbolli italian ka rënë në depresion dhe ka shumë hipoteza e të panjohura, Guardiola do të ishte një shpëtim për rilindjen “axurre”. Një kalim nga “sky blue” i City në “axurr”. Një bast që e tërheq trajnerin katalanas.