Ballina Kronika I dënuari me burgim të përjetshëm transferohet në Burrel, i gjendet lëndë...

I dënuari me burgim të përjetshëm transferohet në Burrel, i gjendet lëndë narkotike

111
0

Një i dënuar me burgim të përjetshëm është transferuar për arsye sigurie nga burgu i Peqinit në burgun e Burrelit, ndërsa gjatë kontrollit në ambientet pritëse i është gjetur një sasi e dyshuar lënde narkotike.

Sipas njoftimit të Drejtorisë së Përgjithshme e Burgjeve, transferimi i të dënuarit Miklovan Parubi është kryer pas informacioneve të siguruara në rrugë operative nga strukturat e Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve.

Vendimi për transferimin është marrë me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm, Adriatik Kupi, për shkak të konsideratave të sigurisë.

Gjatë kontrollit të imtësishëm në momentin e pranimit në IEVP Burrel, në sendet personale të të dënuarit është konstatuar një qese e vogël e dyshuar si lëndë narkotike, e fshehur brenda një çorapeje.

Menjëherë pas konstatimit, janë njoftuar drejtuesit e institucionit, strukturat e kontrollit të brendshëm, si dhe Policia e Shtetit përmes Komisariatit të Policisë Burrel, i cili ka marrë në dorëzim materialin për kryerjen e ekspertizës përkatëse.