Renato Mhillaj, i cili ishte vetëm 13 vjeç në vitin 2016 kur babai i tij Genc Mhillaj u vra me armë zjarri, dyshohet se së bashku me dy kushërinjtë e tij Adriano Mhillaj (22 vjeç) dhe Florin Mhillaj (36 vjeç), kanë organizuar dhe kryer atentatin ku u ekzekutuan Kreshnik dhe Gentjana Mujeci në Balldren të Lezhës. Të tre janë shpallur në kërkim nga policia, ndërsa ngjarja dyshohet të jetë akt hakmarrjeje i lidhur me një konflikt të gjatë gjyqësor dhe familjar.
Sipas të dhënave hetimore, konflikti nis në vitin 2016, kur Genc Mhillaj humbi jetën me armë zjarri në një ngjarje kriminale, për të cilën si të dyshuar u akuzuan Kreshnik Mujeci dhe kushëriri i tij Jozef Mujeci. Më 27 nëntor 2018, Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër i shpalli të pafajshëm të dy të pandehurit, ndërsa më 6 nëntor 2019 edhe Gjykata e Apelit rrëzoi ankimin e prokurorisë duke lënë në fuqi vendimin. Më 31 tetor 2024, Gjykata e Lartë e riktheu çështjen për rigjykim në Apel, duke e lënë ende të hapur dosjen gjyqësore.
Ngjarja kulmoi më 26 prill 2026, rreth orës 14:50 në aksin Balldren–Torovicë, ku Kreshnik Mujeci dhe bashkëshortja e tij Gentjana u qëlluan me breshëri armësh ndërsa udhëtonin me automjet. Sipas policisë, autorët kanë përdorur dy makina: një “Audi A4” për ndjekje dhe vëzhgim, dhe një “Volkswagen” pa targa që i ka prerë rrugën viktimave para se të hapet zjarri. Në vendngjarje u gjetën rreth 30 gëzhoja, ndërsa hetimet konfirmojnë pistën e hakmarrjes dhe vijojnë për kapjen e tre të dyshuarve.







