Ballina Aktualitet Banorët e Fushmbretit në Elbasan protestojnë për mungesën e energjisë elektrike prej...

Banorët e Fushmbretit në Elbasan protestojnë për mungesën e energjisë elektrike prej dy javësh

104
0

Banorët e lagjes Fushmbret në Elbasan janë ngritur ditën e sotme në protestë për të denoncuar mungesën e energjisë elektrike, një problematikë që vijon prej gati dy javësh.

Sipas banorëve, furnizimi me energji elektrike në zonë realizohet vetëm për disa orë në ditë, ndërsa nga mëngjesi deri rreth orës 17:00 mungon plotësisht. Në këtë lagje jetojnë rreth 300 banorë, të cilët shprehen se situata u ka vështirësuar ndjeshëm jetesën e përditshme.

Ata bëjnë të ditur se kjo situatë pritet të vijojë deri më datë 4, ndërkohë që mungesa e energjisë ka ndikuar në aktivitetet bazë familjare dhe ekonomike.

Banorët theksojnë gjithashtu se nuk kanë pasur asnjë njoftim zyrtar lidhur me ndërprerjet dhe asnjë zgjidhje alternative.

Sipas tyre, u është komunikuar vetëm në mënyrë jozyrtare se ndërprerja vjen si pasojë e punimeve në rrjetin elektrik.

Një prej banorëve, ish-elektricist, shprehet se ky është një problem i hershëm në zonë, me ndërprerje të vazhdueshme ndër vite.

Ai thekson se nëse sistemi do të funksiononte siç duhet, defektet mund të zgjidheshin në kohë shumë më të shkurtër.

Banorët paralajmërojnë se do të vijojnë protestat deri në momentin kur problemi të marrë një zgjidhje konkrete nga institucionet përgjegjëse.