Ballina Opinion Kur pushteti del para pasqyrës

Kur pushteti del para pasqyrës

130
0

Fotoja e Ilir Metës në gjykatë nuk është thjesht imazhi i një njeriu të tjetërsuar nga izolimi. Është portreti i një ish-pushtetari përballë peshës së drejtësisë dhe, njëkohësisht, pasqyra e një epoke politike që për dekada e trajtoi shtetin si pronë, zyrën si plaçkë dhe paranë publike si instrument përfitimi.

Nuk ka asgjë fisnike në gëzimin për rëndimin fizik të askujt. Një shoqëri e emancipuar nuk feston mbi rrënimin e një njeriu, kushdo qoftë ai. Edhe njeriu më i akuzuar ka të drejtë për dinjitet, mbrojtje dhe një proces të rregullt ligjor. Drejtësia nuk është hakmarrje; nuk është as spektakël dhe as tribunë ku turma shfryn mllefin. Drejtësia është provë, ligj dhe integritet.

Por, mëshira njerëzore nuk mund dhe nuk duhet të kthehet në amnezi publike.

Sepse ndërsa sot disa ekrane kërkojnë keqardhje për pamjen e ndryshuar të Ilir Metës, pyetja mbetet sa e thjeshtë, aq edhe e rëndë: kush qau me të njëjtën ndjeshmëri për pamjen e Shqipërisë së ndryshuar nga korrupsioni?

Kush u trondit për qytetarin e poshtëruar në sportele? Për biznesin që mësoi se pa “përqindjen” e radhës nuk hapej asnjë derë? Për nëpunësin e ndershëm që u zëvendësua nga militanti pa librezë? Për të riun që braktisi vendin sepse talenti i tij nuk peshonte sa një teserë, një miqësi apo një zarf? Kush u trondit për shtetin që, në vend të ligjit, u qeveris me anë të telefonit?

Kjo është pamja që duhet të na dhembë vërtet.

Ilir Meta nuk është thjesht një emër në një dosje gjyqësore. Ai është një nga figurat më përfaqësuese të tranzicionit shqiptar; një politikan që ka prekur çdo majë të pushtetit. Prandaj, përballja e tij me drejtësinë nuk është një episod personal, por një ngjarje simbolike për një sistem ku partitë u kthyen në agjenci punësimi dhe administrata në shpërblim elektoral.

Në këtë histori, LSI mbetet simboli më i qartë i klientelizmit politik. Një forcë që e ktheu peshën elektorale në monedhë shkëmbimi për poste dhe favore. Ajo nuk e shpiku sëmundjen e sistemit, por e përsosi atë me një cinizëm të pashoq. E uli meritën në nivel dekorativ dhe e zëvendësoi konkurrencën me besnikërinë e verbër, duke normalizuar idenë se shteti është një “plaçkë” që ndahet pas numërimit të votave.

Prandaj, imazhi i Ilir Metës sot duhet të qëndrojë si një paralajmërim në çdo zyrë ku firmosen tenderë, koncesione dhe emërime. Jo si kërcënim, por si një kujtesë e pashmangshme: që pushteti mbaron, zyrat boshatisen, rojet largohen dhe duartrokitjet shuhen.

Ajo që mbetet në fund është vetëm përgjegjësia. Mbetet firma. Mbetet dëmi. Mbetet emri.

Asnjë pushtet nuk është aq i fortë sa të të shpëtojë përgjithmonë nga pasojat e tij. Asnjë post nuk është aq i lartë sa të fshijë gjurmët e lëna mbi jetët e qytetarëve. Drejtësia duhet të flasë me prova, jo me fotografi, por shoqëria ka detyrën të reflektojë mbi krizën morale të këtij modeli.

Sepse problemi i Shqipërisë nuk ka qenë kurrë vetëm një emër. Ka qenë mendësia se posti është pronë, se partia është mburojë dhe se ligji është instrument i të fortit. Kjo mendësi e ka plakur Shqipërinë më shumë se çdo izolim mund të plakë një njeri.

Sot nuk mjafton të shohim fytyrën e Ilir Metës. Duhet të guxojmë të shohim fytyrën tonë si shoqëri. Sa herë kemi heshtur para abuzimit? Sa herë kemi justifikuar korrupsionin kur ka qenë “i yni”? Kjo është prova jonë morale: të mos gëzohemi për askënd, por as të mos harrojmë asgjë.

Shteti nuk bie brenda një dite. Ai rrënohet pak nga pak, me çdo tender të paracaktuar dhe me çdo qytetar të përbuzur. Korrupsioni nuk vjedh vetëm para; ai vjedh të ardhmen. Dhe kur vidhet e ardhmja, një ditë edhe më të fuqishmit e gjejnë veten përpara pasqyrës.

Fotoja e Ilir Metës në gjykatë nuk duhet të jetë një poster urrejtjeje, por një akt llogaridhënieje. Për ata që dje sunduan, për ata që sot firmosin dhe për ata që nesër do të tundohen të besojnë se janë të paprekshëm.

Sepse jetohet vetëm një herë. Dhe askush nuk ka të drejtë ta kalojë jetën e tij duke grabitur dinjitetin dhe mundësitë e të tjerëve.

Drejtësia do të vendosë për individin, por historia ka vendosur tashmë për modelin: ai dështoi. Sot nuk kemi përpara vetëm pamjen e një ish-zyrtari të lartë; kemi përpara fytyrën e një epoke që, e zhveshur nga dekori i pushtetit, më në fund po detyrohet të shohë veten në pasqyrë./vna