Importet e naftës në muajin mars 2026 kanë shënuar rritje krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke sinjalizuar një zgjerim të konsumit të brendshëm pavarësisht çmimeve të larta të karburanteve në treg.
Sipas të dhënave, në mars 2026 janë importuar 53,577 ton naftë, nga 52,123 ton në mars 2025. Kjo përkthehet në një rritje prej 1,454 tonësh, ose rreth 2.8% më shumë në terma vjetorë. Zhvillimi tregon se kërkesa për karburant mbetet e fortë, e nxitur nga aktiviteti ekonomik dhe përdorimi i lartë në sektorë si transporti dhe shërbimet.
Rritja e importit në mars vjen në një kohë kur çmimet e karburanteve kanë qenë të luhatshme dhe në nivele relativisht të larta, çka në teori do të pritej të frenonte konsumin. Megjithatë, të dhënat sugjerojnë të kundërtën: kompanitë kanë shtuar furnizimin për të përballuar kërkesën, duke reflektuar një elasticitet të ulët të konsumit ndaj çmimeve.
Në të kundërt, nëse shihet ecuria për tremujorin e parë të vitit 2026, vihet re një rënie e importit total të karburanteve krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Për tre muajt e parë të vitit janë importuar rreth 155,668 ton, duke reflektuar një tkurrje që lidhet kryesisht me performancën më të dobët të muajve janar dhe shkurt.
Kjo dinamikë tregon një fillim viti më të ngadaltë për konsumimin e karburanteve, i cili është rikuperuar pjesërisht në mars. Faktorë sezonalë, kushtet e motit, si dhe luhatjet në aktivitetin ekonomik mund të kenë ndikuar në këtë ecuri të diferencuar mujore. /ekofin







